Pacolli: Nis rehabilitimi i zonave të degraduara në pellgun e Drinit të Bardhë, nënshkruhet memorandum me CNVP-në

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 14:22 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur procesi i rehabilitimit të zonave të degraduara në pellgun e Drinit të Bardhë, përmes nënshkrimit të një Memorandumi të Mirëkuptimit me përfaqësuesit e CNVP-së.

Pacolli tha se memorandumi përbën një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe rehabilitimit të zonave të dëmtuara përgjatë pellgut të lumit Drini i Bardhë.

“Sot nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit me përfaqësuesit e CNVP-së, duke hedhur një hap të rëndësishëm drejt menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve dhe rehabilitimit të zonave të degraduara përgjatë pellgut të lumit Drini i Bardhë”, ka shkruar Pacolli.

Ajo theksoi se ky partneritet synon të forcojë mbrojtjen e burimeve natyrore dhe rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara.

“Ky partneritet forcon angazhimin tonë për mbrojtjen e burimeve natyrore, rikthimin e ekosistemeve të dëmtuara dhe ndërtimin e një mjedisi më të qëndrueshëm për qytetarët tanë”, u shpreh ministrja.

Sipas Pacollit, projekti parasheh rehabilitimin e më shumë se pesë hektarëve tokë të degraduar, mbjellje të reja për ripyllëzim, mbrojtjen e biodiversitetit dhe ekosistemeve natyrore, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit për rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit.

“Përmes këtij projekti do të rehabilitohen mbi 5 hektarë tokë të degraduar, do të realizohen mbjellje të reja për ripyllëzimin e zonave të dëmtuara, do të mbrohet biodiversiteti dhe ekosistemet natyrore, si dhe do të rritet ndërgjegjësimi i komunitetit për rëndësinë e pyjeve dhe mbrojtjes së mjedisit”, theksoi ajo.

Pacolli tha se institucionet do të vazhdojnë të mbështesin iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe mbrojtjen e pasurive natyrore.

“Ne do të vazhdojmë të mbështesim iniciativa që garantojnë zhvillim të qëndrueshëm, menaxhim të përgjegjshëm të pasurive natyrore dhe një të ardhme më të gjelbër për Kosovën”, shtoi Pacolli.

Të ngjashme