Kurti: Kemi dy javë deri te konstituimi i Kuvendit, interesi shtetëror duhet të vihet në rend të parë

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 15:26 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë tha se vendi ndodhet para një periudhe vendimtare për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja, duke theksuar se zgjedhjet e parakohshme të mbajtura gjatë muajve të fundit kanë qenë të panevojshme, raporton Ekonomia Online.

“Më 7 qershor, për herë të tretë në më pak se 16 muaj, patëm zgjedhje për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Të parat, ato të 9 shkurtit 2025, ishin të rregullta pas përfundimit të mandatit të plotë katërvjeçar. Ndërsa dy proceset pasuese zgjedhore, të dyja të parakohshme në dhjetor e veçmas në qershor, kanë qenë të evitueshme dhe të panevojshme.

Caktimi i datës për mbajtjen e seancës konstituive të legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës nga ushtruesja e detyrës së presidentes, zonja Albulena Haxhiu, është i mirëpritur. Partitë politike, secila sipas hises që populli i ka dhënë, gjendemi sërish para përgjegjësisë për përmbushjen e detyrave për formimin e institucioneve të reja, përfshirë zgjedhjen e presidentit ose presidentes.

Kemi dy javë, më së shumti, deri te fillimi i seancës për konstituimin e Kuvendit, para se të kalojmë te zgjedhja e qeverisë së re dhe më pas edhe e presidentit ose presidentes së Republikës. Për legjislaturën dhe ekzekutivin e ri, siç e dimë, nevojitet shumica e thjeshtë. Ndërkaq për presidentin ose presidenten, së paku në dy raundet e para, për shkak të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para 15 vjetëve, kërkohet prania e dy të tretave të deputetëve, andaj edhe përgjegjësia për zgjedhjen e tij ose të saj i tejkalon një parti politike.

Në këtë frymë, saktësisht dy javë më parë, më 10 korrik, zhvillova takime konsultative me krerët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ndërkaq, sërish shprehim keqardhje që Aleanca nuk e pranoi ftesën. Teksa koha ecën, veprimet politike dhe interesi shtetëror duhet të vihen në rend të parë”, ka thënë ai.

Të ngjashme