Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka njoftuar se të hënën në mëngjes do të paraqitet në Prokurorinë Speciale për të denoncuar profilin “Lule Gjeli” dhe për të ofruar të gjitha informacionet që ka në dispozicion.
Sipas saj, pas njoftimit se Prokuroria Speciale ka nisur hetimet lidhur me këtë rast, ajo ka kontaktuar institucionin dhe është informuar se tashmë është caktuar prokurorja që po e trajton çështjen.
Deliu-Kodra u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që pretendojnë se janë shantazhuar, kërcënuar, fyer apo kanë pësuar pasoja nga aktiviteti i profilit “Lule Gjeli”, që të paraqesin dëshmitë e tyre pranë Prokurorisë Speciale, duke theksuar se çdo denoncim është i rëndësishëm për zbardhjen e plotë të rastit.
Ajo ka theksuar se askush nuk duhet të jetojë nën frikën e kërcënimeve, shantazhit dhe gjuhës së urrejtjes, duke shprehur besimin se drejtësia duhet të veprojë dhe secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta.
Postimi i saj i plotë:
Të hënën në mëngjes do të paraqitem në Prokurorinë Speciale për ta denoncuar profilin “Lule Gjeli” dhe për të ofruar çdo informacion që kam në dispozicion.
Pas informatës se Prokuroria Speciale ka filluar hetimet lidhur me këtë rast, kam kontaktuar menjëherë këtë institucion për të marrë informata shtesë. Sipas informatave që kam marrë, tashmë është caktuar prokurorja që po e trajton çështjen.
I ftoj të gjithë qytetarët që janë shantazhuar, kërcënuar, fyer apo kanë pësuar pasoja nga veprimtaria e këtij profili, të mos heshtin. Çdo dëshmi dhe çdo denoncim ka rëndësi për zbardhjen e plotë të rastit.
Për kontakt me Prokurorinë Speciale mund të telefononi në numrin 044 666 492 dhe të kërkoni të lidheni me prokuroren që po merret me rastin.
Askush nuk duhet të jetojë nën frikën e kërcënimeve, shantazhit dhe gjuhës së urrejtjes. Besoj se është koha që drejtësia të veprojë dhe secili të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta.