Gjykata Themelore në Pejë, i ka caktuar një muaj paraburgim Erdonit Hasanramajt, i cili dyshohet se ka vrarë babain e tij.
Ai dyshohet se ka kryer dy vepra penale, Vrasje nga pakujdesia dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve.
Caktohet masa e paraburgimit ndaj të pandehurit E.H., për shkak të veprës penale Vrasje nga pakujdesia nga neni 175 i KPRK-së, si dhe veprës penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK-së.
“Gjyqtarja e procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë-Divizioni Penal të datës 24.07.2026, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.H., ashtu që të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaj. Masa e paraburgimit është caktuar konform nenit 184 par.1, nënpar.1.1 dhe pika 1.2, pika 1.2.1 të KPPRK-së. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Pejë”, ka njoftuar Gjykata në Pejë.
Erdonit Hasanramaj dyshohet se të enjtën ka vrarë nga pakujdesia babin e tij.
Të enjtën per rastin ka folur edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Pejë, Driton Rugova.
Ai ka thënë se në orën 13 e 42 minuta kanë marrë informacionet për një person të vrarë në oborrin e një stani në Strellc dhe sipas Rugovës, vrasja dyshohet se ka ardhur në mënyrë aksidentale dhe se bëhet fjalë për një incident mes familjarësh.
“Me datën 23.07, rreth orës 13 e 42 minuta, kemi pranuar informata që në oborrin e një stani është një person i vrarë. Dyshohet për vrasje aksidentale dhe mes familjrëve. Është sekuestruar një armë e zjarrit dhe njësitet janë në vendin e ngjarjes.”, ka thënë Rugova.