AKB: Paga minimale 500 euro po, por jo pa analiza, dialog social dhe masa për mbrojtjen e punësimit

Prishtinë | 05 Gus 2026 | 10:53 | Nga Ekonomia Online

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka deklaruar se e mbështet në parim rritjen e pagës minimale në 500 euro, por kundërshton mënyrën se si është marrë dhe zbatuar vendimi, duke vlerësuar se ai është bërë pa analiza ekonomike, pa dialog të plotë social dhe pa masa mbështetëse për bizneset.

Sipas AKB-së, paga minimale prej 500 euro ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2026, ndërsa deri më 15 gusht punëdhënësit duhet të deklarojnë dhe paguajnë obligimet sipas nivelit të ri të pagave. Organizata thekson se kjo periudhë do të tregojë në praktikë se sa biznese mund ta përballojnë rritjen dhe sa nga rreth 150 mijë punëtorët që deri në fund të qershorit paguheshin me pagë minimale do të vazhdojnë të deklarohen me pagën e re.

AKB i ka bërë thirrje Qeverisë që të publikojë analizat ekonomike, sociale dhe ligjore mbi të cilat është bazuar përcaktimi i pagës minimale prej 500 euro, duke ngritur një sërë pyetjesh për ndikimin e kësaj mase në ekonomi.

“Ku është analiza e kostos së jetesës mbi bazën e së cilës është përcaktuar niveli prej 500 euro? Ku është analiza e ndikimit në punësim dhe papunësi? Ku është analiza e ndikimit te mikro, bizneset e vogla dhe ndërmarrjet e mesme? Ku është analiza e konkurrueshmërisë së Kosovës në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor? Ku është analiza e produktivitetit të punës në sektorët që preken më shumë nga rritja e pagës minimale? Ku është vlerësimi i ndikimit në informalitetin e tregut të punës? Dhe mbi të gjitha, ku është propozimi dhe konsultimi institucional i Këshillit Ekonomiko-Social?”, thuhet në reagimin e AKB-së.

Organizata thekson se nuk është kundër pagës minimale prej 500 euro, por vlerëson se ajo duhet të jetë pjesë e një politike të përgjithshme ekonomike dhe jo një masë e izoluar.

Sipas AKB-së, nëse rritet vetëm kostoja e punës për punëdhënësit, pa ulje të barrës fiskale, pa rritje të produktivitetit dhe pa mbështetje për investimet, ekziston rreziku i zvogëlimit të vendeve të punës, rritjes së punësimit informal, zgjerimit të ekonomisë gri, mbylljes së mikro-bizneseve, rritjes së çmimeve dhe dobësimit të konkurrueshmërisë së bizneseve.

Për këtë arsye, AKB ka propozuar krijimin e një “Pakete 500+ për Punësim Formal”, e cila, sipas saj, duhet të përfshijë lehtësime tatimore për pagat deri në nivelin e pagës minimale, ulje të kostos së punës për mikro dhe bizneset e vogla, subvencione të përkohshme për punësimin e të rinjve dhe kategorive të rrezikuara, mbështetje financiare për bizneset që formalizojnë punëtorët, masa kundër ekonomisë informale, si dhe lehtësime për investime në teknologji, digjitalizim dhe rritje të produktivitetit.

AKB ka kërkuar gjithashtu që ndryshimet në politikën e pagës minimale të shoqërohen me një vlerësim të plotë të ndikimit në kategoritë sociale, përfshirë veteranët e UÇK-së dhe skemat e tjera që lidhen me pagën minimale.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se Kosova ka nevojë për paga më të larta, por edhe për biznese më të forta.

“Paga 500 euro është e mirë për punëtorin. Por paga 500 euro pa biznes të qëndrueshëm, pa produktivitet më të lartë, pa lehtësime fiskale dhe pa dialog social mund të shndërrohet në problem për vetë punëtorin. Ne nuk e kundërshtojmë rritjen e pagave. Ne kundërshtojmë mënyrën kur një vendim kaq i rëndësishëm për ekonominë merret pa transparencë të plotë mbi analizat, pa dialog të mjaftueshëm me partnerët socialë dhe pa një paketë ekonomike që e mbron punësimin”, deklaroi Shahini.

Ai shtoi se kërkesa e AKB-së është që Qeveria të publikojë analizat mbi të cilat është bazuar vendimi, të sqarojë procedurat e ndjekura, të bëjë transparente konsultimet me partnerët socialë dhe të ndërtojë, së bashku me bizneset dhe përfaqësuesit e punëtorëve, një paketë mbështetëse për ta bërë pagën minimale prej 500 euro të qëndrueshme në praktikë.

Të ngjashme