Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se administrata e Presidentit Donald Trump ka revokuar më shumë se 175,000 viza për shtetas të huaj, si pjesë e një shtrëngimi të politikës së imigracionit dhe kontrolleve të hyrjes në Shtetet e Bashkuara.
Departamenti i Shtetit deklaroi se vizat u revokuan nga persona që, sipas vlerësimit të autoriteteve amerikane, shkelën kushtet e vizave të tyre, kryen krime, nxitën dhunë kundër qytetarëve amerikanë, kryen mashtrime, abuzuan me sistemin amerikan të imigracionit ose përbënin kërcënim për sigurinë kombëtare, shkruan BBC.
Shumica e vizave, siç u njoftua, u revokuan pasi mbajtësit e tyre kontaktuan zbatimin e ligjit, dhe ndër arsyet më të zakonshme ishin sulmi fizik, drejtimi i makinës në gjendje të dehur, vjedhja dhe krimet e lidhura me drogën.
Departamenti i Shtetit përmendi si shembuj njerëz të akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual, rrëmbim dhe trafikim njerëzor, si dhe një person që përballet me më shumë se një duzinë akuzash për posedim të materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.
Një ambasadë amerikane në Afrikën e Veriut ka revokuar gjithashtu më shumë se 100 viza për prindërit që dyshohet se erdhën në SHBA kryesisht për të lindur atje dhe në këtë mënyrë për t’u mundësuar atyre të fitojnë shtetësinë amerikane, një praktikë që autoritetet amerikane e quajnë turizëm lindjeje.
Departamenti i Shtetit gjithashtu revokoi vizat për një numër të huajsh që kishin lavdëruar ose festuar vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk në mediat sociale, sipas Departamentit të Shtetit.
Departamenti i Shtetit tha në janar se më shumë se 100,000 viza ishin revokue që kur Trump u kthye në Shtëpinë e Bardhë, një numër rekord në atë kohë. Të dhënat e reja tregojnë se politika ka vazhduar me një ritëm të përshpejtuar.