Rafuna: Prodhimet e Kosovës nuk meritojnë këtë trajtim, institucionet po krijojnë imazh jo të mirë

Prishtinë | 11 Gus 2026 | 16:11 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka kritikuar mënyrën se si po trajtohen prodhimet vendore, duke thënë se kjo situatë po e dëmton një zinxhir të tërë që përfshin fermerët, përpunuesit, prodhuesit dhe konsumatorët, raporton Ekonomia Online.

Rafuna ka kërkuar nga institucionet e vendit që të mbështesin prodhimet vendore, duke theksuar se importi është rritur ndjeshëm ndër vite, ndërsa eksporti ka mbetur në vlera të njëjta.

“Është një situatë e padrejtë që po trajtohen prodhimet tona, prodhimet kosovare, për shkak se ky është një zinxhir i tërë që përfshin prej fermerit, përpunuesit, prodhuesit, po edhe konsumatorit. Dhe ne gjithmonë kemi kërkuar që prodhimet kosovare të mbështeten, për shkak se allashtu i kemi pak prodhime që prodhojmë në Kosovë dhe na ka mbytur importi. Dhe në qoftë se i shohim të dhënat zyrtare, shohim që, në qoftë se i krahasojmë me vitet e mëparshme, për shembull në qoftë se marrim prej vitit 2022, shohim që mbi 1 miliardë është rritur importi, ndërsa eksporti ka mbetur në vlerat e njëjta. Deficiti tregtar prej 18.6% në 2022-tën është, është kurrur në 14.4%”, tha Rafuna.

Ai ka kërkuar me urgjencë nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterrinarisë dhe Ministria e Bujqësisë që të mos ndërmarrin veprime që, sipas tij, mund të dëmtojnë imazhin e produkteve vendore dhe të krijojnë pasiguri te konsumatorët.

“Dhe kërkojmë me urgjencë nga institucionet e vendit, në këtë rast nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, po edhe nga Ministria e Bujqësisë, që mos të marrin veprime të cilat e prishin imazhin ose krijojnë të pavërteta ose krijojnë edhe panik te konsumatori që mos me i blerë prodhimet e Kosovës. Prodhimet e Kosovës prodhohen me standardet më të larta, janë me cilësinë më të lartë, janë produkte që unë jam dëshmitar dhe e thom me plot përgjegjësi që i bëjnë konkurrencë dhe produkteve që prodhohen që 100 vjet, jo vetëm në tregun rajonal, po edhe në tregun evropian”, u shpreh ai.

Rafuna ka kërkuar që prodhimet vendore të subvencionohen, të mbrohen dhe të krijohen mundësi për zgjerimin e tregjeve.

“Andaj, prodhimet tona nuk meritojnë këtë trajtim. Kërkojmë që prodhimet tona të subvencionohen, të mbrohen, po edhe të punohet që t’ju gjendet një treg më i madh. Kështu që, këto kanë krijuar me mijëra vende pune dhe janë një segment shumë i rëndësishëm i degës së zhvillimit ekonomik”, deklaroi Rafuna.

Ai tha se Oda Ekonomike e Kosovës është e gatshme të ofrojë mbështetje dhe bashkëpunim me institucionet për zgjidhjen e situatës.

“Dhe Oda Ekonomike e Kosovës është e gatshme në çdo kohë, 24 orë në 7, që t’i ofrojë Ministrisë së Bujqësisë, po edhe Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, të gjithë asistencën, mbështetjen, po edhe dialogun, në mënyrë që me me e zgjidhur këtë këtë paraqitje të produkteve tona që është krijuar me me këto konferencat e e fundit”, tha ai.

Rafuna ka paralajmëruar se dëmtimi i imazhit të produkteve vendore mund të ketë pasoja për mijëra vende pune dhe fermerë.

“Ne jemi në dispozicion dhe prapë e theksoj që ofrojmë gjithë mbështetjen tonë, por të kihet kujdes se jemi, prodhimet e Kosovës janë mijëra vende pune që mund të humbin, janë mijëra fermerë që mund t’i humbin bagëtitë e tyre si rezultat i krijimit të një imazhi jo të mirë për prodhimet tona. Se nuk po krijojnë imazhin vetëm brenda Kosovës, po imazhi po krijohet edhe jashtë Kosovës”, theksoi Rafuna.

Sipas tij, prodhuesit e produkteve të qumështit aktualisht kanë mundësi të kufizuara për eksport, ndërsa institucionet duhet të punojnë për hapjen e tregjeve të reja.

“Dhe prodhimet tona ose produktet e qumështit vetëm mundësi për me u plasuar e kanë tregun rajonal, edhe ato vetëm në Maqedoni, Shqipëri dhe Mal të Zi. Nuk e kanë mundësinë në Serbi dhe nuk e kanë mundësinë në vendet e tjera, në vendet e Bashkimit Evropian, pikërisht për shkak të mospunës së Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit që nuk kanë punuar që certifikata e veterinarisë të njihet”, tha ai.

Rafuna ka theksuar se tregu i Bashkimit Evropian përbën një mundësi të madhe për prodhuesit kosovarë.

“Është një treg prej 500 milionë konsumatorësh dhe kemi kapacitet me eksportuar në tregun e Bashkimit Evropian dhe nuk është punuar nga ana e institucioneve të shtetit që kjo certifikatë të njihet dhe këto produkte të mund të dalin në treg”, u shpreh ai.

Në fund, kryetari i OEK-ut tha se institucionet duhet të punojnë për promovimin e produkteve vendore dhe jo për krijimin e një imazhi negativ për to.

“Në vend që ne të punojmë që produktet tona të dalin dhe ta dëshmojmë që janë një brend i sigurt për konsumatorin, janë një brend shumë i kualitetshëm, ne po bëjmë të kundërtën. Kjo është e padrejtë. Për këtë arsye kërkojmë me urgjencë si Odë Ekonomike e Kosovës që të punohet që brendi jonë të promovohet si një brend që i plotëson të gjitha kushtet, kriteret dhe përmbajtjen për t’u konsumuar nga konsumatori. Është shumë i sigurt”, përfundoi Rafuna.

Të ngjashme