Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, ka përsëritur për të katërtën herë brenda tri ditësh paralajmërimin se Serbia mund të ndërhyjë në rrjedhën e lumit Ibër.
Gjatë qëndrimit të tij në Ivanjicë, Vuçiq u pyet për deklaratat e mëparshme lidhur me mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit, i cili nga territori i Serbisë hyn në Kosovë dhe për rreth 80 kilometra vazhdon në territorin e saj, para se të rikthehet sërish në Serbi.
Në përgjigjen e tij, presidenti serb e përsëriti se për realizimin e një nisme të tillë mund të përfshihen edhe ekspertë ndërkombëtarë.
“Kam thënë po e formojmë një komision, një grup punues, ashtu që të shohim gjithçka, dokumentet e të tjerat”, ka thënë ai.
Vuçiqi më pas ka thënë se kritikat ndaj tij kanë të bëjnë me “diçka tjetër”. Ai ka lidhur kritikat ndaj njoftimit të tij me sjelljen “ndaj serbëve në Kosovë”.
“Nuk ka rëndësi se sa krime kryen Kurti kundër serbëve, s’ka rëndësi sa serbë i arreston ai, s’ka rëndësi sa serbë i keqtrajton, i dëbon, s’ka rëndësi sa shtëpi i ka shkatërruar… Kurrë s’do të ketë një sinjal që të dalin me deklaratë kundër këtyre veprimeve”, ka thënë Vuçiqi.
Tutje ai më pas ka thënë se çdo propozim i tij kritikohet “sepse ekziston një dëshirë dhe nevojë për të qenë në anën e armiqve të Serbisë”.
“Por edhe nëse përpiqeni të bëni diçka në një mënyrë krejtësisht paqësore, me propozimin që të formojmë një komision, me ekspertë ndërkombëtarë dhe gjithçka tjetër, atëherë keni problem. Sepse në fakt ‘nuk duhet ta mbrojmë popullin serb’. Ju duhet të jeni kundër serbëve. Nuk mund ta kuptoj dhe s’do ta kuptoj këtë”, ka thënë tutje ai.
Është hera e katërt që nga 9 gushti që Vuçiqi e ka shprehur publikisht kërcënimin për ndryshimin e rrjedhës së lumit Ibër.
Ibri furnizon me ujë liqenin artificial të Ujmanit, nga i cili furnizohen me ujë një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës.
Deklaratat e Vuçiqit kanë nxitur reagime në Kosovë, Shqipëri, Bashkim Evropian dhe në SHBA.