Ish-kandidati për kryetar të Dragashit nga Lëvizja Vetëvendosje, Filiz Mustafa, ka deklaruar se i dyshuari nga Dragashi, Fehim Sali, që u arrestua sot për spiunazh, nuk është “bashkëpunëtori i vetëm” i pushtetit komunal të LDK’së në këtë komunë që ka ushtruar këso veprimtari dhe e akuzoi kryetarin e komunës Bexhet Xheladini se “nuk e ka problem bashkëpunimin edhe me njerëz të tillë”.
“Ky nuk është bashkëpunëtori i vetëm i pushtetit komunal të LDK-së në Sharr që ka ushtruar një veprimtari të tillë. Hetimi duhet të zgjerohet edhe më tutje, edhe tek ata që janë me funksione brenda ekzekutivit lokal në Sharr, edhe tek partnerët e tjerë të koalicionit të Bexhet Xheladinit, i cili kur të vjen në pyetje pushteti nuk e ka problem bashkëpunimin edhe me njerëz të tillë që dihet botërisht se satelitë të kujt janë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.
Këtë akuzë e ka mohuar Xheladini në një përgjigje për Gazetën Express, duke paralajmëruar kallëzim në polici ndaj Mustafës.
“Personi që është arrestuar nuk është punëtor i sistemit kosovar të arsimit. Ai s’ka lidhje me komunën, absolutisht. Ai pagë nga komuna s’merr dhe s’është punëtor i komunës. Ai është i sistemit paralel”, tha Xheladini, duke mohuar se i dyshuari është pjesë e ndonjë partie politike në këtë komunë.
“Sot zyrtarët tanë janë duke përgatitur shkresën për kallëzim në polici”.
Fehim Sali u arrestua sot në mëngjes në pikën kufitare të Merdarës nën dyshimin për kryerjen e veprës penale të spiunazhit.
Siç raportoi RTK më herët, ai punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Dragashit dhe më herët ka qenë i angazhuar në Këshillin Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes.
Filiz Mustafa në zgjedhjet e fundit të qershorit ka qenë edhe kandidat për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje.