Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur edhe për takimet me subjektet e tjera politike, duke thënë se ka hasur në refuzim nga ana e tyre, raporton Ekonomia Online.
Kurti tha se kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka refuzuar të takohet me të, ndërsa me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës është takuar një herë.
“Nuk mund të sillemi thuajse unë nuk kam provuar të takohem me subjektet e tjera. Unë kam hasur në refuzimin e subjekteve të tjera. Ju e dini që kryetari i Aleancës refuzon të takohet me mua, ndërkaq kryetari i PDK-së është takuar një herë.
Sidoqoftë, unë i falënderoj për komunikimin që kemi me ta, sepse duhet ta pranoj që edhe kur nuk kemi takime, ne kemi komunikim. Shumë më mirë do të ishte të kishim takime, sepse kur ka takime ka diskutime që çojnë në marrëveshje.
Kjo tash nuk varet prej meje, por nëse ka cilëndo kohë vullnet nga ana e PDK-së ose AAK-së, ose të dyjave për takime, për diskutime, për marrëveshje, unë jam më shumë se sa i hapur, i interesuar”, tha Kurti.
