Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për vonesat në sigurimin e teksteve shkollore, pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Përmes një postimi, Bajrami ka thënë se prindërit ende nuk i kanë marrë mjetet për blerjen e librave dhe, për më tepër, nuk e dinë se cilat tekste duhet t’i blejnë.
Ajo ka kritikuar vendimin e Ministrisë që librat të mos sigurohen drejtpërdrejt për nxënësit, por mjetet t’u transferohen prindërve në xhirollogari.
“Prej se Ministria vendosi që mos t’ua sigurojë librat nxënësve, por t’ua qesë paratë prindërve në xhirollogari, çdo shtator e kemi të njëjtën katrahurë: aplikime, pritje për mjete, prindër që bredhin prej një librarie në tjetrën dhe fëmijë që e fillojnë mësimin pa i pasur të gjitha librat”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka thënë se prindërit kanë kërkuar rikthimin e sistemit të mëparshëm, ku nxënësit i gjenin tekstet shkollore në banka me fillimin e vitit shkollor.
“Pritjet për këtë Qeveri edhe nga prindërit janë minimale. Ata s’po kërkojnë reformat e Finlandës as të Suedisë. Po kërkojnë që me një shtator, secili fëmijë të ulet në bankë me librat para vetes”, është shprehur deputetja e LDK-së.
Sipas saj, vonesat në sigurimin e teksteve nuk paraqesin vetëm problem për prindërit, por ndikojnë edhe në procesin mësimor të nxënësve.
“Ky nuk është vetëm maltretim i prindërve. Kjo është humbje në mësimnxënie për fëmijët, është regres”, ka shkruar Bajrami.
Në fund, ajo e ka cilësuar situatën si dështim të qeverisjes.
“Nëse Ministria nuk arrin me e siguru as këtë, problemi nuk është te librat, problemi është te qeverisja. Tash e 6 vjet dështim pas dështimi”, ka përfunduar Bajrami.