Kërkohet distancim i qumështoreve nga përdorimi i vajit të palmës: Qumështi duhet të konkurrojë me qumësht

Prishtinë | 24 Gus 2026 | 19:20 | Nga Ekonomia Online

Shoqata e Qumështoreve të Kosovës ka kërkuar që përpunuesit e qumështit të distancohen nga përdorimi i vajit të palmës, duke argumentuar se subjektet që e përdorin atë nuk mund të përfaqësojnë interesat e industrisë vendore të qumështit.

Në reagimin e saj, shoqata ka ngritur edhe çështjen e anëtarësimit të kompanive që përdorin vaj palme në Shoqatën e Qumështoreve të Kosovës.

“QUMËSHTORET DUHET TË DISTANCOHEN NGA PËRDORIMI I VAJIT TË PALMËS

Në qoftë se produktet që përmbajnë vaj palme nuk janë produkte qumështi dhe, rrjedhimisht, nuk mund të quhen produkte të qumështit, atëherë edhe fabrikat që përpunojnë vaj palme nuk mund të konsiderohen qumështore. Kjo tashmë është e qartë për të gjithë.

Nga këto kufizime ligjore, logjikisht dhe juridikisht, rrjedh edhe një fakt tjetër shumë i rëndësishëm:

A mund të ketë Shoqata e Qumështoreve të Kosovës – SHQK (SHIQK) anëtarë që përdorin vaj palme dhe të vazhdojnë të jenë anëtarë të rregullt të shoqatës?

Jo.

NUK MUND TË JENË ANËTARË TË SHOQATËS ATA QË PËRDORIN VAJ PALME DHE E SHESIN SI QUMËSHT APO PRODUKT NGA QUMËSHTI”, thuhet në reagim.

Sipas shoqatës, përdorimi i vajit të palmës bie ndesh me interesat e industrisë së qumështit në Kosovë dhe me qëllimin e përfaqësimit të qumështoreve vendore.

“Interesat që ata përfaqësojnë dhe mbrojnë janë në kundërshtim të hapur me interesat e industrisë së qumështit në Kosovë.

Çdo përpunues që përdor vaj palme në fabrikën e tij nuk mund të përfaqësojë interesat e qumështoreve të Kosovës dhe nuk mund të konsiderohet në të njëjtën pozitë me një qumështore që përpunon qumësht.

Anëtarësimi i subjekteve që përdorin vaj palme bie ndesh me frymën dhe qëllimin e statutit të shoqatës, i cili, ndër të tjera, parasheh mbrojtjen e interesave të anëtarëve të saj nga mashtrimi dhe falsifikimi.

Statuti përcakton se anëtarë të shoqatës janë qumështoret e Kosovës.

Pra, nuk mund të ketë të njëjtat të drejta përfaqësimi një subjekt që nuk funksionon si qumështore dhe që përdor përbërës joqumështorë si zëvendësues të qumështit”, thuhet më tej.

Shoqata u ka bërë thirrje qumështoreve që nuk përdorin vaj palme që të distancohen publikisht nga kjo praktikë, duke paralajmëruar se mosdistancimi mund të krijojë dyshime te konsumatorët.

“PRANDAJ KËRKOJMË:

Të gjitha qumështoret e Kosovës që nuk përdorin vaj palme të distancohen qartë dhe publikisht nga përdorimi i vajit të palmës dhe nga praktikat që zëvendësojnë qumështin me përbërës që nuk janë qumësht.

Mosdistancimi i tyre krijon dyshime serioze se edhe ata, në një mënyrë apo tjetër, kanë interesa në përdorimin e vajit të palmës dhe, në këtë mënyrë, bëhen bashkëpjesëmarrës në dëmtimin e pashembullt të fermerëve dhe konsumatorëve të Kosovës.

Kurse distancimi i tyre jep kontribut direkt në ndalimin e mashtrimit dhe falsifikimit.

Në këtë mënyrë, konsumatorët e Kosovës do ta kenë më të lehtë të dallojnë se cilat subjekte përfaqësojnë qumështoret vendore, përdorin qumësht nga fermat e Kosovës dhe nuk përdorin vaj palme si zëvendësues të qumështit”, thuhet në reagim.

Shoqata ka kërkuar që përfaqësimi në politikat që lidhen me sektorin e qumështit të bëhet nga subjektet që, sipas saj, mbrojnë interesat e fermerëve dhe konsumatorëve.

“SHOQATA DUHET TË FLASË ME ZËRIN E QUMËSHTIT TË KOSOVËS!

Vetëm në këtë mënyrë mund të fillojmë rikthimin dhe ndërtimin e imazhit të produkteve vendore të qumështit dhe të rrisim besimin e konsumatorëve në to.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje MINISTRISË SË BUJQËSISË që ta ketë parasysh këtë realitet dhe të ndërmarrë veprime e vendime në përputhje me të.

Përpunuesit që përdorin vaj palme nuk mund dhe nuk duhet të jenë palë apo partnerë në përfaqësimin e interesave të qumështoreve, përpunuesve vendorë të qumështit, fermerëve dhe konsumatorëve të Kosovës, përderisa vazhdojnë ta përdorin vajin e palmës në produktet e tyre.

Përdoruesit e vajit të palmës nuk janë zëri dhe as përfaqësuesit e interesave të fermerëve, konsumatorëve apo të interesit ekonomik vendor në përgjithësi”, thuhet në reagim.

Po ashtu, është kërkuar që kompanitë që përdorin vaj palme të mos kenë rol përfaqësues në proceset që lidhen me politikat e sektorit të qumështit.

“Për këtë arsye, përdoruesit e vajit të palmës nuk duhet të kenë rol përfaqësues në grupet punuese, proceset konsultative apo në hartimin e politikave bujqësore që lidhen me të ardhmen e sektorit të qumështit, qoftë si subjekte të veçanta apo anëtarë të ndonjë shoqate që mund të krijojnë në të ardhmen. Pra, përderisa vazhdojnë këtë praktikë, ata nuk mund të përfaqësojnë interesa që lidhen me industrinë e qumështit në përgjithësi.

Prandaj, kërkojmë vlerësimin e përfaqësimit dhe të pjesëmarrjes së tyre në çdo nivel ku vendosen ose diskutohen politikat për sektorin e qumështit dhe interesat e fermerëve e konsumatorëve”, thuhet në reagim.

Megjithatë, shoqata ka lënë të hapur mundësinë e anëtarësimit për përpunuesit që përdorin vaj palme, nëse ata heqin dorë vullnetarisht nga përdorimi i tij.

“POR KA EDHE NJË RRUGË TË HAPUR:

Përpunuesit që aktualisht përdorin vaj palme janë të mirëseardhur të vijnë në shoqatë si anëtarë të barabartë, nëse paraprakisht dëshmojnë se, në mënyrë vullnetare dhe të dokumentuar, kanë HEQUR DORË nga përdorimi i vajit të palmës, pavarësisht nga vendimet shtetërore lidhur me këtë çështje.

Dhe pavarësisht mënyrës se si Ministria e Bujqësisë do të vendosë me ligj lidhur me këtë çështje.

Heqja dorë vullnetarisht dhe publikisht nga përdorimi i vajit të palmës do të ishte një sinjal i fuqishëm për konsumatorët dhe do të ndikonte pozitivisht në imazhin e prodhimit vendor në përgjithësi, si dhe të subjekteve të veçanta në veçanti.

Ky do të ishte një hap i mirëpritur nga të gjithë dhe një kontribut i rëndësishëm për forcimin e Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës dhe të gjithë sektorit të qumështit”, thuhet në fund.

Në reagim, shoqata ka përfunduar me një mesazh të drejtpërdrejtë për industrinë dhe konsumatorët: “Tashmë është bërë e qartë për të gjithë: vaji i palmës është i padëshiruar në ushqimet tona të qumështit, dhe, për fat të mirë, kjo po merr edhe formë ligjore dhe institucionale.

QUMËSHTI DUHET TË KONKUROJË ME QUMËSHT — JO ME VAJ PALME!”

Të ngjashme