Policia në Pejë shqipton 375 gjoba ndaj motoçiklistëve gjatë gushtit

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 09:08 | Nga Ekonomia Online

Policia Rajonale në Pejë ka shqiptuar 375 gjoba ndaj drejtuesve të motoçikletave gjatë periudhës 1–23 gusht 2026.

Sipas njoftimit të Policisë, Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Njësiti i Trafikut Rajonal, stacionet policore dhe Njësiti për Reagim të Shpejtë kanë realizuar aktivitete operative me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe rregullimit të komunikacionit.

Gjobat janë shqiptuar për kundërvajtje të ndryshme në trafik, përfshirë drejtimin e motoçikletës pa patentë shofer, pa regjistrim dhe pa helmetë.

Policia ka bërë të ditur se aktivitetet në terren do të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë do të vazhdojë me aktivitetet në terren, me qëllim të parandalimit të aksidenteve, derisa Policia do të ketë zero tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve në komunikacion”, thuhet në njoftim.

Policia u ka bërë thirrje drejtuesve të motoçikletave dhe të gjithë pjesëmarrësve në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të rritjes së sigurisë në rrugë.

Të ngjashme