Gërvalla takon Lopes, diskutojnë për thellimin e reformave në drejtësi

Prishtinë | 25 Gus 2026 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka zhvilluar një takim kortezie me shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, Antero Lopes, me të cilin ka diskutuar për forcimin e sundimit të ligjit dhe thellimin e reformave në drejtësi.

Gërvalla theksoi se reformat në drejtësi nuk janë zgjedhje politike e një momenti, por domosdoshmëri për konsolidimin e shtetit të së drejtës. Sipas saj, realizimi i tyre kërkon vendosmëri politike, institucione me integritet dhe zbatim të barabartë të ligjit.

Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe EULEX-it, i cili, sipas Gërvallës, mbetet i rëndësishëm për avancimin e proceseve reformuese dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Ministrja në detyrë veçoi funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, procesin e Vetingut dhe miratimin e pakos ligjore të reformës në drejtësi si pjesë të një procesi të gjerë për forcimin e integritetit, pavarësisë dhe besueshmërisë së sistemit të drejtësisë.

Gërvalla vlerësoi gjithashtu si të rëndësishëm bashkëpunimin me EULEX-in në monitorimin e sistemit të drejtësisë, veçanërisht në trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore.

Ajo theksoi nevojën për një reagim të shpejtë, të koordinuar dhe efektiv të institucioneve, duke vendosur mbrojtjen e viktimave në prioritet dhe duke forcuar përgjegjshmërinë institucionale.

Në fund të takimit, Gërvalla e uroi Antero Lopes për detyrën e re si shef i Misionit të EULEX-it në Kosovë dhe i dëshiroi suksese në ushtrimin e mandatit të tij.

Të ngjashme