Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Rrustem Thaqi, ka pritur sot në një takim njohës shefin e ri të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Antero Lopes.
Në takim, Lopes është shoqëruar nga Giovanni Galzignato, Shef i Komponentit të Drejtësisë dhe Shërbimit Korrektues, Hubert van Eck Koster, Shef i Njësisë për Monitorimin e Rasteve, si dhe Valentina Vitali, Këshilltare për të Drejtat e Njeriut.
Gjatë takimit, Thaqi e ka uruar Lopes për marrjen e detyrës së re dhe ka shprehur gatishmërinë për forcimin e bashkëpunimit institucional.
“Kryesuesi Thaqi e uroi z. Lopes për marrjen e detyrës së re dhe i dëshiroi sukses në ushtrimin e mandatit të tij në Kosovë, duke shprehur gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.
Nga ana tjetër, shefi i ri i EULEX-it, Antero Lopes, e ka falënderuar Thaqin për pritjen dhe ka vlerësuar rëndësinë e bashkëpunimit me KGJK-në.
“Z. Antero Lopes falënderoi kryesuesin Thaqi për pritjen dhe vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit me Këshillin Gjyqësor të Kosovës, duke theksuar përkushtimin për avancimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit është diskutuar edhe për gjendjen aktuale në sistemin gjyqësor, sfidat me të cilat përballet ai, si dhe mundësitë për bashkëpunim më të thellë mes institucioneve.
“Bashkëbiseduesit diskutuan për zhvillimet aktuale në sistemin gjyqësor, sfidat me të cilat përballet sistemi gjyqësor, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin e KGJK-së.