Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka urdhëruar forcat e armatosura të Ukrainës që të rrisin ndjeshëm sulmet me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë, duke synuar që numri i tyre të arrijë deri në 1,000 në ditë.
Aktualisht, Ukraina kryen rreth 300 sulme të tilla me dronë në ditë, ndërsa Zelensky tha se synimi i ri është rritja e këtij numri në 1,000.
“Duhet të ketë më shumë, ekziston një qëllim specifik dhe ne do ta përmbushim atë”, tha ai në një fjalim të martën pasdite.
Ndërkohë, një seri sulmesh me dronë ukrainasë ndaj infrastrukturës energjetike ruse ka shkaktuar pasoja në prodhimin e karburanteve.
Prodhimi i benzinës në Rusi ra në rreth 70% të niveleve të kërkesës së brendshme në fund të gushtit, pasi sulmet ukrainase detyruan disa rafineri kryesore të ndërpresin punën, thanë dy burime të industrisë për Reuters.
Kievi ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse në përpjekje për të goditur të ardhurat e Moskës nga eksportet e naftës.
Mungesa e karburantit është rikthyer në disa rajone të Rusisë gjatë gushtit, pas një lehtësimi të përkohshëm në fund të korrikut, kur disa autoritete lokale nisën të zbusin ose të heqin kufizimet për shitjen e karburantit.
Sipas burimeve, prodhimi i benzinës në fund të gushtit ka rënë në të njëjtin nivel me atë të regjistruar në fillim të korrikut.
Javën e kaluar, pas sulmeve me dronë ukrainasë, disa rafineri të mëdha – ndër to impiantet në Perm, Nizhny Novgorod dhe Yaroslavl – ndërprenë funksionimin. Këto rafineri konsiderohen njësi të rëndësishme të prodhimit të benzinës në Rusi.