Arbëresha Kryeziu, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë para hyrjes në Kuvend se vendimi i LVV-së për të votuar për nënkryetarët nga PDK-ja dhe LDK-ja është bërë me qëllim të zhbllokimit të procesit të konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
Kryeziu u bëri thirrje partive opozitare që të ndryshojnë qëndrim dhe të marrin pjesë në seancë, në mënyrë që të votohet për nënkryetarët dhe të vazhdohet me konstituimin e Kuvendit.
“Uroj që të ndërrojnë qëndrim partitë opozitare dhe të vijnë sot në seancë dhe të procesojmë tutje me procesin e konstituimit të Kuvendit. LVV-ja, njëjtë siç ka vepruar gjatë këtyre dy viteve të fundit, edhe kësaj here ka lëvizur për t’i kontribuar zhbllokimit të situatës, e cila ka ndodhur si rezultat i bllokadës së vazhdueshme të këtyre partive opozitare. Shpresoj që sot deputetët të paraqiten në seancë, sepse fundja edhe sipas aktgjykimit dhe obligatave të jenë aty, t’i votojmë nënkryetarët, ta konstituojmë Kuvendin dhe të vazhdojmë tutje me proceset tjera”, tha Kryeziu.
“Sepse në grupin, pra kryesia e Lëvizjes ka vendosur që këta dy emra të mbështeten për shkak që të mos vazhdohet edhe më tutje bllokada, kështu që po i përsëris edhe një herë, është thjesht një lëvizje tjetër e radhës e Vetëvendosjes, ndryshe prej partive opozitare të cilat vazhdimisht i kanë kontribuar dhe po vazhdojnë me i kontribuar bllokadës”, u shpreh ajo.
E pyetur nëse mungesa e opozitës në seancë do të nënkuptonte një përballje të ndërsjellë politike, Kryeziu tha se pasojat e kësaj situate nuk i bartin subjektet politike, por qytetarët e Kosovës.
“Kjo nuk është që po na i kthen neve me të njëjtën monedhë, ata po ia kthejnë me këtë monedhë qytetarëve, sepse nuk është humbës këtu një subjekt politik prej mungesës së opozitës në Kuvend, ata që në fakt faktikisht po pësojnë janë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe në të njëjtën kohë po mbesin pezull proceset të cilat duhet të ecin e të cilat duhet të bëhen të mundura me votë në Kuvendin e Republikës. Kështu që nëse ata e shohin si hakmarrje ndaj një subjekti politik është gabim, sepse do të duhet ta shohin si një lëvizje që duhet të bëhet për të mirën e vendit e për të mirën e qytetarëve tanë. Kështu që unë po e përsëris edhe një herë, shpresoj që të kthehen në seancë sepse në fund të fundit është përgjegjësi dhe detyrë e secilit deputet që të jetë aty edhe të kontribuojë në këto procese. S’do të thotë votosh për, mund të votosh kundër dhe të abstenosh, sepse është e drejtë e secilit se si vendos se cili do të jetë qëndrimi i tij në këto procese, por e rëndësishme është që proceset të shtyhen, të ecin përpara edhe të ndërpritet më kjo tash bllokadë që po vazhdon prej dy viteve”, tha tutje ajo.
