Prishtina do të marrë Presidencën e Rrjetit të Qyteteve të Ballkanit B40 për vitin 2027, ndërsa Samiti i B40 do të mbahet në kryeqytetin e Kosovës në janar të vitit të ardhshëm.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili ka njoftuar se Kryeqyteti ka marrë ftesë zyrtare nga kryetari i Zagrebit dhe presidenti aktual i B40, Tomislav Tomasheviq, për të marrë drejtimin e rrjetit gjatë vitit 2027.
Sipas Ramës, kjo përbën një përgjegjësi të rëndësishme ndërkombëtare për Prishtinën dhe një vlerësim për rolin që kryeqyteti i Kosovës po luan në rajon.
“Ky është vlerësim për rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të Prishtinës në rajon, por edhe mundësi për ta shndërruar Kryeqytetin në një platformë të dialogut, bashkëpunimit dhe zhvillimit ndërmjet qyteteve të Ballkanit”, ka shkruar Rama.
Mbështetje për kandidaturën e Prishtinës ka shprehur edhe Qyteti i Sarajevës, i cili, përmes një letre zyrtare, ka vlerësuar lidershipin e Prishtinës dhe orientimin e saj drejt gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe vizionit evropian.
Marrja e Presidencës së B40 pritet t’i japë Prishtinës një rol më të madh në bashkëpunimin ndërmjet qyteteve të rajonit, duke krijuar mundësi për iniciativa të përbashkëta në fusha të ndryshme të zhvillimit urban dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.“Në 2027, Prishtina nuk do të jetë vetëm pjesë e tavolinës së qyteteve të Ballkanit, do ta udhëheqë atë”, ka deklaruar Rama.
“Prishtina po rritet. Po lidhet. Po udhëheq”, tha kryetari i kryeqytetit.