Ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndodhen në Gjykatën Speciale për të dëgjuar aktgjykimin ndaj tyre.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi do ta dëgjojnë arsyetimin e aktgjykimit, të cilin do ta kumtojë kryetari i Trupit Gjykues në këtë rast, Charles Smith.
Vendimi për katër ish-drejtuesit e UÇK-së pritet në fund të një gjykimi që ka shkuar shumë përtej kuadrit ligjor. Në Kosovë, ku ish-guerilasit mbeten heronj, kjo gjykatë speciale rihapi plagët e luftës.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi u arrestuan dhe u dërguan për në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë më 4 dhe 5 nëntor 2020.
Që atëherë, ata qëndran në paraburgim dhe para një procesi të stërzgjatur gjykimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që pretendohet të jenë kryer gjatë periudhës së luftës, periudhë për të cilën ata thanë se ndjehen më së shumti krenar.
Aktakuza i bënte përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin për një sërë krimesh që pretendohej se ishin kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzonte ata se kishin qenë ose duhej të kishin qenë në dijeni të këtyre krimeve të pretenduara.