Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka, kanë dalur sot më 18.09.2026 para Gjykatës Themelore në Ferizaj, në lidhje me rastin e vrasjes së rreshterit policor në Kaçanik, Muhamet Lika.
Të lartcekurit akuzohen për vrasje të rëndë, ndërsa Diamant Gashi është i akuzuar për dhënie të ndihmës, personave të përmendur më lart pasi pretendohet se kishin kryer veprën penale, raporton Kallxo.com.
Lidhur me këtë rast akuzohet edhe një i mitur, mirëpo ndaj tij procedura penale do të mbahet veçmas prej 6 të akuzuarve, pasi i njëjti në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur dhe do të gjykohet si i tillë.
Në seancën gjyqësore të datës 18.09.2026 kanë dhënë dëshminë e tyre katër dëshmitarë, Nehat Lika, Egzon Tusha, Kushtrim Balazhi dhe Elemdin Raka.
Nehat Lika bashkëfshatar i tashmë të ndjerit ka treguar se kontaktet me rreshterin i kanë pasur në baza ditore, kurse deklaroi se rreshteri ka qenë i mbyllur sa i përket temave të punës së shtetit.
Dëshmitari ka thënë tutje, se gjatë këtyre kohëve sa kanë ndejtur bashkë me të ndjerin, nuk ka arritur të vërej ndonjë shqetësim, telashe apo brengë.
Sipas dëshmitarit, takimi i fundit me të ka qenë në ditën e festës së Bajramit ku në mbrëmje kishin pirë kafe
Nehat Lika ka shtuar se lajmin për vrasjen e rreshterit e kishte kuptuar nga publikimet në rrjetet sociale.
“Lajmin e kam kuptu nga faqja “S`je kaçanikli”, dhe kam shku te banesa dhe jam nisë me shku te banesa e Muhametit, kur jam afruar te kafja, do qytetarë thanë që Muhameti është i plagosur, e kanë çu në emergjencë të Kaçanikut”- tha dëshmitari.
Sipas dëshmitarit, të akuzuarit nuk i njeh personalisht, por në qytetin e Kaçanikut kanë mundur të shihen në ndërkohë pasi është qytet i vogël, por që emrat e të akuzuarve asnjëherë nuk i kishe përmendur rreshteri gjatë kohës që kanë ndenjur bashkë.
Radha për të dhënë dëshmi pas dëshmitarit të parë i erdhi Egzon Tushës, i cili shpjegoi se si kishe dëgjuar katër të shtëna armësh në objektin banesor ku ishte vrarë rreshteri.
Sipas tij, dy krismat e fundit kishin ndodhur derisa ishte në kontakt me policinë e Kosovës për ta njoftuar për ngjarjen, që deri në ato momente i njëjti nuk kishte informacione se çfarë po ndodhte.
“I kam shpjegu që i dëgjova dy krisma, tu folë me policinë kanë ndodhë edhe dy krisma të tjera edhe më kujtohet jam kanë tu e mbyllë deren e banesës me çelës, nuk dojsha me shqetësu familjen, edhe në atë moment i kam thanë policisë ‘o hajdeni te luzha’’- tha dëshmitari.
Sipas dëshmitarit kur ka dalë nga banesa e tij, ka parë banorë të tjerë afër objektit dhe në afërsi të rreshterit kishte qenë arma zyrtare e tij.
Sipas dëshmitarit, të akuzuarin Shkëlqim Kukën e njeh pasi e ka pasur klient në mobil-shopin e tij, kurse të akuzuarit e tjerë nuk i njeh për nga afër dhe as nuk ka pasur kontakte me ta.
Pas tij, dëshmi ka dhënë Kushtrim Balazhi, i cili ka thënë se ka pasur kontakt me të akuzuarin Haki Bela në natën kur ishte vrarë rreshteri Muhamet Lika.
Sipas Balazhit, fillimisht ai me baxhanakun e tij kishin dalë për të drekuar, pastaj kishin shkuar për të shikuar një lokal dhe më pas e kishin parkuar veturën afër një lokali në ora 22:00.
Sipas dëshmitarit, 200 metra ka qenë largësia mes lokalit “Aksa” deri tek lokali ku kishin shkuar për ta shikuar.
Dëshmitari ka thënë se tashmë i akuzuari Haki Bela ju kishte bashkangjitur, në kohën kur ishte duke e shikuar lokalin.
“Prokurori: Sa është largësia prej lokalit “Aksa” deri te lokali që keni shku me kqyr sa është? – Dëshmitari: përafërsisht 200 metra.
Prokurori: Kur jeni bërë bashkë me Haki Belën?
Dëshmitari: Ka qenë vendi ku kemi qenë me këqyrë lokalin.
Prokurori: Sa keni qenë së bashku me Hakinë, a keni dalë në qytet, ku keni shku
Dëshmitari: Masi e kemi pa vendin aty ka ardh Hakija, i kemi pa dritat e policisë dhe jemi nisë në drejtim të lokalit ‘Aksa’”.
Tutje dëshmitari tha se me t`i parë dritat e policisë e kanë kuptuar që nuk ishte diçka e zakonshme. Ai tha se kanë shkuar në vendin e ngjarjes pasi nuk kanë pasur informacion se çfarë ka ndodhur kur më pas e kanë kuptuar se bëhej fjalë për zyrtar policor pasi kanë parë uniformën në momentin kur personeli i ambulancës po bënte bartjen e trupit.
Sipas dëshmitarit që 7 vite e njeh të akuzuarin Haki Bela dhe në momentin kur kishte ardhur, nuk ka pasur diçka të pazakontë rreth tij, në veprime apo gjestikulacione.
Në fund, dëshminë para Gjykatës e ka dhënë dëshmitari Elemedin Raka.
Raka po ashtu ka deklaruar se në ditën kritike ka pasur kontakt me të akuzuarin Haki Bela, mirëpo ai tha se gjatë qëndrimit me të kanë pasur bisedë të zakonshme.
Dëshmitari tha se të akuzuarin Haki Bela e njeh që 6-7 vite, dhe tha se nuk ka vërejtur ndonjë gjë të pazakontë te ai.
Dëshmitari madje tha se ai me dy persona të tjerë dhe madje me të akuzuarin Haki Bela pasi kishin parë një grumbull njerëzish kishin shkuar nga kureshtja në vendin e ngjarjes.
Dëshmitari Raka tha, se i akuzuari Haki Bela asnjëherë nuk e ka përmendur të ndjerin Muhamet Lika
Me të përfunduar dëshminë, dëshmitari Elmedin Raka, seanca e sotme u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet gjatë muajit shtator 2026.
Procesi gjyqësor për këtë rast ka kaluar në fazën e administrimit të provave, ku dëshminë kanë filluar ta japin një numër i caktuar i dëshmitarëve të prokurorisë.
Në korrik të vitit 2026 ka dhënë dëshminë e saj bashkëshortja e Likës.
Në shkurt të vitit 2026 të akuzuarit kishin mohuar akuzat e Prokurorisë lidhur me këtë rast.
Aktakuza e Prokurorisë Themelore të Ferizajt thotë se vrasja e rreshterit ndodhi “për qëllime të ulëta, hakmarrëse, duke urryer viktimën në raport me punën e tij të ushtruar si zyrtar policor”.
Në aktakuzën 32-faqëshe janë përfshirë veprimet që pretendohet se kanë kryer pesë të pandehurit Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka.
KALLXO.com ka siguruar aktakuzën e Prokurorisë së Ferizajt të ngritur kundër pesë të pandehurve, të cilët po ngarkohen me veprën penale të vrasjes së rëndë ndaj rreshterit policor Muhamet Lika në Kaçanik më 01.04.2025
Sipas Prokurorisë, më 01.04.2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin II të hyrjes së ndërtesës, në bashkëveprim me një të mitur, me dashje dhe përgatitje paraprake kishin privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter Muhamet Lika, në atë mënyrë që deri sa viktima ka përfunduar orarin e punës në detyrën zyrtare dhe gjatë rrugës për në banesën e tij ishte përcjellë në vazhdimësi nga të pandehurit dhe i mituri deri te hyrja e banesës së tij e më pas ishte vrarë.
Ajo çka bie në sy në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria është edhe puna e zyrtarit policor i cili u vra e që lidhet me punën e tij në trajtimin e dy rasteve, disa fletushkave me përmbajtje fetare dhe djegien e bredhit në Han të Elezit.
Vdekja e Muhamet Likës në bazë të raportit të autopsisë ishte konsideruar se është e dhunshme dhe erdhi si pasojë e gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, si rrjedhojë e dëmtimit të mushkërive dhe mëlçisë, si rezultat i veprimit dinamik të predhave të gjuajtura nga arma e zjarrit.
Vrasjen e policit e kishin mohuar tashmë të akuzuarit.
Në deklarimin e dhënë në Polici, Haki Bela më 21.04.2025 kishte thënë se ka dëgjuar për vrasjen e policit Muhamet Lika, e kishte njohur më parë si gjithë policët e tjerë dhe nuk e kishte pasur asgjë në familje.
Në natën kritike, rreth orës 23:00, kishte deklaruar se kishte qenë te lokali i tij, mbrapa xhamisë, ku edhe punon nga ora 08:00 deri në ora 18:00, dhe shtonte se ditë më parë Muhamet Lika kishte qenë në lokalin e tij për të blerë vaj të farës së zezë, kurse për natën kritike ka deklaruar se para orës 23:00 kishte dalë nga shtëpia e tij dhe kishte shkuar në drejtim të lokalit.
Më pas kishte vërejtur dy vetura të Policisë dhe te banesat ku kishte ndodhur vrasja ishte afruar për të shikuar se çfarë po ndodhte dhe se aty kishte qenë bashkë tre persona të tjerë dhe kishin komunikuar me policin A.M., dhe ishin njoftuar se është vrarë një polic dhe më pas sipas tij ishin kthyer përsëri te lokali e më pas kishin shkuar në shtëpi.
Tutje ai kishte thënë se në lokal kishte qëndruar për t’u ndihmuar dy shokëve të tij që të shtypnin farën e zezë.
Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarit për rastin e vrasjes së zyrtarit policor Muhamet Lika?
Në dosje të Prokurorisë thuhet se më 01.04.2025 rreth orës 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, në hyrje të ndërtesës, të pandehurit duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë planifikuar për ta privuar nga jeta zyrtarin policor Muhamet Lika.
Sipas dosjes së Prokurorisë, i mituri me dashje dhe përgatitje paraprake, ka vrarë zyrtarin policor Muhamet Lika.
Në dosje përshkruhet se rreshteri Lika pas përfundimit të orarit të punës rreth orës 22:50 rrugës për në banesën e tij ishte përcjellë në vazhdimësi nga të dyshuarit e moshës madhore deri te hyrja e banesës së tij, dhe pasi ai hyn në objektin e banesës ku jetonte, duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga prapa dhe pasi që viktima hyn në ndërtesë pas tij hyn edhe i mituri dhe porsa e takon tashmë të ndjerin ka shtënë në të me me armë zjarri.
Sipas dosjes, pas kryerjes së vrasjes ik nga vendi i ngjarjes në drejtim të një lokali, ku bashkohet me të pandehurin Rilind Murati, i cili kishte qenë duke e pritur dhe së bashku largohen përmes rrugës “Mejdi Dalloshi”.
Në pamjet e kamerave vërehet i pandehuri Haki Bela, i cili e përcjell zyrtarin policor prej momentit të daljes nga stacioni, duke i shkuar prapa e pas kryerjes se veprës penale nga i mituri rreth 14 minuta pas në afërsi të vendit të ngjarjes duke qëndruar një kohë dhe duke u larguar, i pandehuri Vatan Çaka është parë në shoqëri të të pandehurve Rilind Murati dhe të miturit dhe të njëjtit para kryerjes se veprës penale vërehen duke vëzhguar vendin e ngjarjes.
Në dosje thuhet se i pandehuri Edmond Lika në bazë të video-incizimeve është parë në shoqëri të të pandehurve dhe së bashku me të pandehurin Shkëlqim Kuka e përcjellin rreshterin Muhamet Lika nga dalja nga stacioni policor, ku i pandehuri Edmond Lika deri sa ka qenë në veturën “Opel Astra” me të kaluar viktima del nga vetura pronë e te pandehurit Shkëlqim Kuka dhe vazhdon me veturën “Golf II” në përcjellje të viktimës ndërsa i pandehuri Shkëlqim Kuka vazhdon me veturën “Opel Astra” duke e përcjellë viktimën.
Në dosje thuhet se i pandehuri Diamant Gashi përmes telefonit kontakton të pandehurin Haki Bela dhe i njëjti e strehon dhe i ofron ndihmë në ushqim dhe gjëra të tjera të miturit.
Tutje në dosje thuhet se në vend të ngjarjes janë gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 mm ndërsa nga plagët e marra nga predhat e armës së zjarrit ka ndërruar jetë zyrtari policor Muhamet Lika.
Të akuzuarit Haki Bala, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, dhe Shkëlqim Kuka në dosje të Prokurorisë thuhet se kanë të kaluar kriminale.
Më 21.04.2025, në një aksion të gjerë policor u arrestua grupi që tani po akuzohet për vrasjen e rreshterit policor në Kaçanik.