(Profil i punuar me material të gjetur në bodrum.)
…
HYRJE
Sekrete, prapë sekrete dhe një tjetër sekret.
Sa më poshtë zbret, aq më pak dritë.
Diku ruhet një inat i vjetër.
Askush nuk e di kur ka hyrë aty.
Askush nuk e ka parë të dalë.
Në një qoshe janë ndjenjat.
Të sistemuara mirë, sipas ngjyrës, të palosura, të papërdorura.
Dyshohet se mëshira ka qenë aty dikur.
Kanë mbetur ca gjurmë.
Një herbarium. Gjethe të mbledhura, të thara, të sistemuara sipas shkallës së mëshirës.
Aty pranë është një sitë e madhe.
Donika i sit ndjenjat.
I sit gjatë, me durim, derisa të ndahet ndjenja nga ndjenja.
Çfarë kalon nëpër sitë, nuk dihet.
Çfarë mbetet sipër, futet përsëri.
Askush nuk e di se sa herë sita e sit sitën.
Donikën e tërheq ajo që nuk thuhet hapur.
I pëlqen ta gjejë terrin në terr.
Gjërat e dukshme nuk kanë çfarë t’i fshehin.
I pëlqejnë fshehtësitë.
Çfarë fshihet pas fshehtësive.
Jo domosdo sepse janë të rëndësishme.
Por sepse janë të fshehta.
…
Ka një afërsi të çuditshme me tabunë – me atë që të tjerët nuk duan ta prekin, ta përmendin, madje as ta dinë.
Ka edhe një hajmali për dashuri.
E mban të fshehur mes gjërave që nuk i tregon.
Askush nuk e di nëse ia kanë falur, e ka gjetur apo e ka bërë vetë.
Thuhet se sjell dashuri.
Në bodrum, ende nuk ka dhënë shenja të ekzistencës.
…
Në bodrum koha nuk matet me orë.
Matet me heshtje.
Pastaj vjen mjegulla.
Në mjegull nuk gënjen askush domosdo.
Thjesht askush nuk sheh mjaftueshëm për ta ditur të vërtetën.
Ka gjëra që dihen.
Ka gjëra që vetëm ndihen.
Dhe pastaj janë ato më të rrezikshmet: gjërat që ndihen aq gjatë, sa fillojnë të duken sikur dihen.
Në një raft janë disa letra të kthyera përmbys.
Askush nuk i prek.
Nuk dihet nëse janë dokumente, letra bixhozi apo letra që presin të bëhen dokumente.
Ka edhe një pasqyrë.
Është kthyer kah muri.
Thuhet se dikur ka qenë e kthyer nga dhoma.
Pastaj kanë ndodhur disa gjëra.
Askush nuk pyet çfarë…
…
Në bodrum pyetjet ruhen më mirë se përgjigjet.
Ka edhe gjëra të varrosura.
Por e varrosura nuk është medoemos e vdekur.
Disa gjëra vazhdojnë të veprojnë pikërisht sepse nuk shihen.
Ky është pushteti më i frikshëm i bodrumit: ai që nuk ka nevojë të dalë në dritë për të ekzistuar.
…
Këto ditë kanë ardhur edhe katër dënime nga Haga.
I kanë lënë te dera.
Nga bodrumi nuk është dëgjuar zë.
Ka edhe një derë të mbyllur.
Pas saj, dyshohet se është një derë tjetër. Pastaj një tjetër.
Donika nuk fsheh sekretin.
E fut sekretin në sekret.
…
Në sheshin Skënderbe, u tha se Haga është furnizuar edhe nga bodrumi i Donikës.
Në bodrum nuk u konfirmua asgjë.
As nuk u mohua.
Vetëm u mbyll edhe një derë.
Në bodrumin e saj edhe heshtja ka sekrete.
Dhe krejt në fund të bodrumit gjendet sendi më i çuditshëm:
një peshore.
Punon.
Por askush nuk e di çfarë peshon.
….
EPILOG
Natën, bodrumi zgjerohet.
Muret lëvizin nga pak, pa zhurmë.
Raftet ndërrojnë vend.
Letrat që kanë qenë të kthyera përmbys, në mëngjes gjenden të kthyera nga ana tjetër.
Askush nuk i ka prekur.
Hajmalia vazhdon të presë dashurinë.
Dashuria vazhdon të mos japë shenja të ekzistencës.
Pasqyra rri kah muri.
Vetëm peshorja punon.
Herë pas here, njëra anë ulet vetë.
Askush nuk e di çfarë është vënë mbi të.
Në mëngjes, Donika del nga bodrumi.
Pas saj, dera e mbyll derën.
…
P.S.
Dashurinë e mban të lidhur – si bishën.
Heshtjen të kyçur – si mëkatin.
Urrejtjen e lë të lirë – ajo e di vetë rrugën.
…
AUTOKRITIKË
Jo.
S’kam fjalë.
Ndjej.
Jam shumë e mirë.
…
DALJE
U mbyll bodrumi.
Çelësi mbeti brenda.
Donika nuk pranoi të zbresë ta marrë.
Sepse çfarë humbet – është fshehur.
…
Letërsia ia vuri flakën bodrumit.