Caktohet seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte, Gjykata u bën thirrje të dorëzohen

Prishtinë | 21 Sht 2026 | 18:09 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar për 28 shtator shqyrtimin fillestar në rastin penal ndaj 21 personave të akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Meqenëse gjykimi do të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve ngase janë të paarritshëm për drejtësinë, Gjykata u ka bërë thirrje të pandehurve që të dorëzohen para organeve të ndjekjes, dhe personave që kanë informacin lidhur me vendndodhjen e tyre, t’ia komunikojnë Policisë apo organeve tjera kompetente.

“Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi në këtë çështje do të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se te njëjtit kanë qenë te pa arritshëm deri në momentin e ngritjes se aktakuzës. Për këtë arsye, përmes kësaj komunikate ju bëhet thirrje të pandehurve, të lartcekur që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës. Gjithashtu, u bëhet thirrje të gjithë personave që posedojnë informacione relevante lidhur me vendndodhjen e të akuzuarve, që t’i komunikojnë këto informacione Policisë së Kosovës apo organeve tjera kompetente”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Në këtë rast, të akuzuar janë: Zlatomir Peshiq, Mladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavljeviq, Bogoljub Janiçeviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Krsman Jeliq, Ljubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Millosh Doshan, Ljubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Millovan Kovaçeviq, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Seanca pritet të mbahet më 28 shtator nga ora 09:30.

“Njoftohen te pandehurit dhe gjithë opinioni publik se seanca do të mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Pallati i Drejtësisë Hajvali, Objekti D, Kati I, salla nr.16, me datë 28.09.2026, nga ora 09:30, nga Kryetarja e Trupit Gjykues Medie Bytyqi. Lidhur me këtë çështje penale, Aktakuza dhe ftesat për seancë janë të publikuara në web – faqe të gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 gusht 2025 ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 personave lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Të ngjashme