IKSHPK përmbyll nismën “Përtej kryetitujve” për raportimin mbi sëmundjet kronike

Prishtinë | 23 Sht 2026 | 18:50 | Nga Ekonomia Online

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka përmbyllur të mërkurën, më 23 shtator, nismën “Përtej kryetitujve”, e cila kishte për qëllim avancimin e mënyrës së raportimit për sëmundjet kronike jongjitëse.

Në ngjarjen përmbyllëse morën pjesë gazetarë dhe profesionistë shëndetësorë, të cilët diskutuan për rëndësinë e raportimit më të saktë dhe gjithëpërfshirës të temave shëndetësore.

Sipas IKSHPK-së, gjatë diskutimit u trajtua nevoja që faktet shëndetësore të vendosen në kontekst dhe raportimi t’u kushtojë vëmendje edhe përvojave të njerëzve.

Në hapje të ngjarjes, drejtoresha ekzekutive e IKSHPK-së, Dr. Ardita Baraku, theksoi rëndësinë e informacionit të saktë shëndetësor.

Baraku vuri në pah se informacioni për shëndetin duhet të jetë “i saktë, i kuptueshëm dhe i mbështetur në ekspertizë profesionale”.

Në panelet e diskutimit, gazetarët dhe profesionistët shëndetësorë të përfshirë në këtë nismë diskutuan për sfidat me të cilat përballen gjatë raportimit për tema të ndërlikuara shëndetësore.

Gjatë diskutimit u theksua edhe rëndësia që sëmundjet kronike jongjitëse të trajtohen në vazhdimësi nga mediat dhe jo vetëm në rastet kur ato bëhen pjesë e lajmeve të ditës.

Në kuadër të ngjarjes, Dr. Baraku prezantoi edhe edicionin e veçantë të revistës “Shëndeti”, ku janë përmbledhur shkrimet opinionistike dhe raportimet e gazetarëve të realizuara gjatë nismës “Përtej kryetitujve”.

Sipas IKSHPK-së, revista përmban gjithashtu një rubrikë të veçantë për Kursin e Lidershipit në fushën e sëmundjeve kronike jongjitëse, të organizuar nga IKSHPK-ja dhe projekti IHS në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës 2026.

Në diskutimin përmbyllës, pjesëmarrësit folën për rezultatet e arritura gjatë nismës dhe mundësitë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet gazetarëve dhe profesionistëve shëndetësorë, me qëllim përmirësimin e raportimit dhe informimit të publikut për sëmundjet kronike jongjitëse.

Të ngjashme