Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka pretenduar se numri i infermierëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është përgjysmuar, në kohën kur buxheti është rritur gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).
Përmes një postimi, Ymeri ka thënë se mungesa e infermierëve po i detyron qytetarët të kërkojnë ndihmë nga familjarët apo forma të tjera të asistencës gjatë trajtimit në QKUK.
“Me fjalë të tjera, ne jemi detyruar të marrim të afërm e çfarëdo forme tjetër asistence, me infermierë aktualë që punojnë totalisht jashtë kapaciteteve, sepse qeveria e Albin Kurtit ka vendos me pas 947 infermierë më pak në QKUK”, ka shkruar Ymeri.
Ajo ka bërë të ditur se të dhënat për numrin e infermierëve në QKUK i ka marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Ymeri ka përmendur gjithashtu rënien e numrit të infermierëve si anëtarë të Odës së Infermierëve, duke iu referuar të dhënave që, sipas saj, tregojnë për këtë trend.