Policia e Kosovës ka arrestuar dhe ndaluar për 48 orë një person të dyshuar për marrje ryshfeti nga pronarë të bizneseve në zonën e Rahovecit.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është trajtuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Gjakovë, në bashkëpunim me njësitë tjera policore, pas informacioneve operative se i dyshuari, në periudha dhe lokacione të ndryshme në Rahovec, kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet.
“Policia e Kosovës, respektivisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) – Gjakovë, përmes rrugëve operative, në bashkëpunim edhe me njësitë tjera të Policisë së Kosovës, ka pranuar informacione se i dyshuari mashkull kosovar, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në zonën e Rahovecit, kishte kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarët e bizneseve të ndryshme, në këmbim të moskryerjes së kontrollit apo edhe mosndëshkimit sipas ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftim.
Policia ka bërë të ditur se informacionet janë trajtuar në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, ndërsa gjatë veprimeve hetimore janë siguruar dëshmi lidhur me dyshimet.
“Informacionet e pranuara janë trajtuar menjëherë nga njësitë kompetente policore, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, me ç’rast janë ndërmarrë veprime hetimore, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi se i dyshuari i lartcekur, me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo për personin tjetër, dyshohet se ka pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash, nga treqind deri në pesëqind (300-500) euro në disa raste të ndara nga persona të ndryshëm (pronarë biznesesh)”, njofton Policia.
Sipas Policisë, me këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “marrja e ryshfetit”, të përcaktuar me nenin 421 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Më 24 shtator 2026, me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe në koordinim me prokurorin përgjegjës, është kontrolluar ambienti i punës dhe automjetet që i dyshuari i kishte në shfrytëzim, me qëllim të sigurimit të provave relevante për rastin.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa nga ai është sekuestruar edhe një telefon celular.