Rrustemi: Gjykata Kushtetuese vendosi një rregull që nuk ekziston në Kushtetutë

Prishtinë | 24 Sht 2026 | 17:42 | Nga Ekonomia Online

Mes afatit të shkurtuar për zgjedhjen e Presidentit dhe rrezikut të rikthimit te zgjedhjet e jashtëzakonshme, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon një zgjidhje brenda institucioneve. Deputeti Adnan Rrustemi thotë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka krijuar paqartësi për proceset e ardhshme, ndërsa insiston se LVV nuk po synon zgjedhje, por zgjedhjen e Presidentit të Republikës.

Rrustemi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se, bazuar në njoftimin e publikuar nga Gjykata, konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e Qeverisë janë në përputhje me Kushtetutën, ndërsa ka shprehur kritika për mënyrën se si është përcaktuar afati për zgjedhjen e Presidentit.

“Po, në bazë të njoftimit që është publikuar nga Gjykata Kushtetuese, që jemi në pritje të aktgjykimit të plotë për të parë edhe argumentet dhe arsyetimet, Gjykata Kushtetuese konstatoi që konstituimi i Kuvendit është në përputhje me Kushtetutën, sikurse edhe zgjedhja e qeverisë është në përputhje me Kushtetutën. Por është për të ardhur keq që Gjykata Kushtetuese kësaj radhe vendosi një rregull të ri që nuk ekziston në Kushtetutë, madje që bie ndesh me vetë aktgjykimet e mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, madje edhe me aktgjykimin e fundit te rasti i shpërndarjes së Kuvendit nga ana e Presidentit të Republikës, duke llogaritur afatin për zgjedhjen e Presidentit nga momenti i certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve dhe jo nga konstituimi i Kuvendit, siç e ka thënë më parë dhe siç është në fakt edhe siç ka qenë edhe praktikë”, ka deklaruar Rrustemi.

Sipas tij, ky interpretim ka ndikuar në kohën në dispozicion për arritjen e një zgjidhjeje për zgjedhjen e Presidentit.

“Kjo e ka shkurtuar dukshëm periudhën në dispozicion të deputetëve për ta gjetur një zgjidhje për Presidentin, por mbi të gjitha, në vlerësimin tim, ka krijuar paqartësi edhe për procese të tjera të të ardhshme, sepse ne mund të kemi në legjislaturën tjetër situata të ngjashme kur nuk e kemi Presidentin në rend dite. Por megjithatë duhet ta shohim aktgjykimin e plotë, arsyetimin dhe argumentet, dhe duhet të përpiqemi në këto 12 ditë që kanë mbetur ta gjejmë një zgjidhje për Presidentin, të zgjedhim Presidentin e Republikës dhe pastaj të vazhdojmë punën secili në rolin e tij apo të saj”, ka thënë ai.

Sa i përket nënkryetarit të Kuvendit që i takon PDK-së, Rrustemi ka thënë se Vetëvendosje vazhdimisht ka bërë thirrje që kjo parti të propozojë kandidatin e saj, duke përsëritur se deputetët e LVV-së janë të gatshëm ta votojnë atë.

“Po ne kemi bërë thirrje vazhdimisht Partisë Demokratike të Kosovës që të vijnë në seancë e të propozojnë nënkryetarin në Kuvend, madje kemi bërë zotimin publik që do ta votojmë çfarëdo lloj nënçitaku. Por PDK-ja atë kohë e bojkotoi konstituimin e Kuvendit, refuzoi që të kandidojë, madje hoqi kandidaturën edhe me shkrim, në funksion të pamundësimit të konstituimit të Kuvendit dhe për ta lënë vendin pa Kuvend dhe pa institucione”, është shprehur Rrustemi.

Ai ka thënë se çështja e nënkryetarit nuk është, sipas tij, problemi kryesor, duke e vendosur theksin te zgjedhja e Presidentit.

“Ne natyrisht kjo nuk është çështja më problematike. Kemi qenë të gatshëm dhe jemi të gatshëm për ta plotësuar Kryesinë, ajo është një e drejtë e rezervuar për PDK-në. Por PDK-ja veç e ka përdorur si pretekst për të pamundësuar konstituimin. Thelbi është tek gjetja e një zgjidhjeje për Presidentin sepse periudha është shumë e shkurtër dhe nga kjo varen të gjitha proceset e tjera më pas. Ka shumë rëndësi që t’i shmangim zgjedhjet, sepse pas 12 ditëve mund të na trokasin zgjedhjet e jashtëzakonshme. E në këtë kohë që është Kosova, e ka të domosdoshme të ketë institucione stabile që të merren natyrisht me sfidat që po përballet Kosova, por edhe me punët për të cilat presin qytetarët”, ka deklaruar ai.

Rrustemi ka theksuar se qëndrimi i LVV-së është që të gjendet zgjidhje për Presidentin dhe jo të shkohet në zgjedhje.

“Ne jemi për ta zgjedhur Presidentin, nuk jemi për zgjedhje. Shpresoj e uroj që opozita, të paktën pas 16 shtatorit, pas vendimit të Gjykatës Speciale, të ketë qëndrime të tjera, të ketë reflektuar dhe të heqë dorë nga ato pozicione për të refuzuar bashkëpunimin me Kurtin dhe për të refuzuar çfarëdo zgjidhje për Presidentin”, ka thënë Rrustemi.

Duke komentuar deklaratat e disa deputetëve opozitarë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka prishur një plan të Vetëvendosjes për zgjedhje në fund të dhjetorit apo fillim të janarit, Rrustemi i ka cilësuar këto deklarata si të pabazuara.

“Po i kam parë ato deklarata të eksponentëve të opozitës, sidomos të disa të PDK-së, që thanë që Gjykata Kushtetuese e shkatërroi planin e Vetëvendosjes. E para, ata nuk i dinë planat tona. Por e dyta, nga kur Gjykata Kushtetuese përdoret ose ekziston për të shkatërruar planat e partive politike? E nëse qenka shkatërruar plani ynë, a nënkupton kjo që qenka mbështetur plani i tyre? Domethënë, cili është plani i PDK-së në rastin konkret, për të pamundësuar ose për të dështuar zgjedhjen e Presidentit të Republikës dhe për ta çuar vendin në zgjedhje në nëntor?”, ka deklaruar ai.

Sipas Rrustemit, LVV nuk ka pasur qëndrim për shkuarje në zgjedhje, ndërsa ai ka kërkuar nga partitë opozitare të sqarojnë qëndrimet e tyre lidhur me datën e mundshme të zgjedhjeve.

“Ne nuk kemi qenë asnjëherë për zgjedhje, ne kemi qenë për ta zgjedhur Presidentin. E meqë donin zgjedhje, atëherë pse ju pengon që të nisë më 7 dhjetor? Ata le të përgjigjen pse kanë problem me 7 dhjetorin”, ka shtuar Rrustemi.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur se konstituimi i Kuvendit është bërë pas afatit kushtetues, por ka kërkuar që të vazhdohet me zgjedhjen e nënkryetarit të dytë dhe se si pasojë ka nisur rrjedhja e afatit për zgjedhjen e presidentit.

Kushtetuesja ka konstatuar se formimi i Qeverisë “Kurti 4” nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. 

Në vendimin e saj, Kushtetuesja ka konstatuar se Kuvendi është konstituuar pas skadimit të afatit prej 30 ditësh. Megjithatë, sipas Gjykatës, kalimi i këtij afati ka pasojë fillimin e rrjedhjes së afateve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, në rastin kur posti është vakant, si dhe për formimin e Qeverisë.

Gjykata ka konstatuar se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka filluar më 8 gusht 2026 dhe përfundon më 6 tetor 2026.

Në të njëjtin vendim, Kushtetuesja ka vlerësuar se deputetët duhet, sa më parë, të zgjedhin edhe nënkryetarin e Kuvendit nga radhët e grupit të dytë më të madh parlamentar, që është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

“Të konstatojë që vendimi i 13 shtatorit 2026 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për zgjedhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës nuk është në kundërshtim me nenin 95 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Të ngjashme