Bullgaria ka thirrur ambasadoren ruse, Eleonora Mitrofanova, pas sulmeve me dronë ndaj dy anijeve tregtare në Detin e Zi, pranë bregdetit bullgar. Nga incidentet, një anije është fundosur, 11 anëtarë të ekuipazhit rezultojnë të zhdukur, ndërsa një marinar është shpëtuar.
Sipas autoriteteve lokale, njëra prej anijeve u fundos rreth 31 kilometra në lindje të fshatit Krapets. Në anijen tjetër, në pronësi ukrainase, u raportua një sulm me dronë rreth 18 milje detare nga qyteti i Byalas. Të 15 anëtarët e ekuipazhit të kësaj anijeje u shpëtuan, shkruan BBC.
Kryeministri bullgar, Rumen Radev, thirri një takim urgjent të martën dhe njoftoi se kishte kërkuar shpjegime nga ambasadorja ruse në Sofje, Eleonora Mitrofanova.
Radev deklaroi se deri më tani nuk ka prova përfundimtare që përcaktojnë përgjegjësinë e njërës apo tjetrës palë. Megjithatë, sipas tij, “logjika sugjeron se rezultati i shërben Federatës Ruse”.
Nga ana e saj, Mitrofanova, sipas raportimeve të mediave bullgare, tha se nuk kishte marrë informacion nga Ministria ruse e Mbrojtjes lidhur me sulmet e fundit. Ajo gjithashtu ngriti mundësinë që sulmet të jenë provokim nga një palë e tretë.
Bullgaria është anëtare e NATO-s dhe Radev zhvilloi bisedë edhe me sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Mark Rutte, për situatën e krijuar në Detin e Zi.
Pas bisedës, Rutte deklaroi se NATO-ja do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me aleatët e saj në rajonin e Detit të Zi.