Ambasadorja e Vullnetit të Mirë për Kosovën në IHRC Elvana Shala, teksa po qëndron për vizitë zyrtare në Romë, është pritur në një takim të veçantë nga Lartmadhëria e Saj, Princesha e Jordanisë, Basma Bint Ali, e cila shërben gjithashtu si Ambasadore e Vullnetit të Mirë për Lindjen e Afërt dhe Afrikën e Veriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO)
Gjatë bisedës, Ambasadorja Shala e informoi Princeshën Basma Bint Ali në mënyrë të detajuar për punën dhe angazhimin e saj, duke vënë në pah rëndësinë e krijimit të mundësive të barabarta kategoritë e margjinalizuara që përballen me barriera në qasjen ndaj edukimit dhe zhvillimit shoqëror.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua mundësisë së hartimit dhe zbatimit të projekteve konkrete që do të kontribuonin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë, me synimin për të promovuar edukimin gjithëpërfshirës, shkëmbimin e përvojave dhe krijimin e mundësive të reja për kategoritë që kanë më së shumti nevojë për mbështetje.
Princesha Basma Bint Ali shprehu interesim të veçantë për këto iniciativa dhe për mundësitë e investimit në projekte që synojnë përmirësimin e qasjes në edukim dhe avancimin e përfshirjes sociale. Ky interesim përbën një mundësi të rëndësishme për të shqyrtuar forma konkrete të bashkëpunimit dhe për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve.
Ambasadorja Shala u shpreh e lumtur për pritjen dhe gatishmërinë e shprehur nga Princesha, duke theksuar se bashkëpunimi ndërkombëtar duhet të përkthehet në iniciativa konkrete që sjellin ndryshime pozitive në jetën e njerëzve, veçanërisht të atyre që kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe mundësi.
Në kuadër të bisedimeve, u shpreh vullneti për të avancuar shkëmbimet e ndërsjella ndërmjet Kosovës dhe Jordanisë, përmes vizitave të ardhshme që do t’i mundësonin Princeshës Basma Bint Ali të njihej nga afër me realitetin, potencialin dhe nevojat sociale të Kosovës, si dhe palëve që të identifikonin mundësi konkrete për zhvillimin e projekteve të përbashkëta.
