Kërko produktin…
Shpërndaje
17:40 / E Premte, 16 Tetor 2026 / F.R“Nisu drejt Çagllavicës”/ Rekomandohet suspendimi i 3 policëve në Prishtinë, një gruaje i dhanë urdhra për veprime seksuale
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Rekomandimi për suspendim është dhënë të premten, pas ndërmarrjes së veprimeve fillestare hetimore nga IPK-ja.
Sipas njoftimit, rasti dyshohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026, pas mesnatës, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte në Prishtinë.
Sipas pretendimeve të ankueses, ajo ishte duke drejtuar veturën kur ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë. Më pas, sipas saj, ata i kishin thënë të vazhdonte në drejtim të fshatit Çagllavicë, me qëllim të kryerjes së veprimeve me karakter seksual.
Lidhur me rastin, me udhëzim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, është iniciuar procedurë penale për veprat e dyshuara.
IPK ka bërë të ditur se do të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore, në koordinim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe verifikimit të pretendimeve të ngritura.