A rrezikon Kosova ta humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare?

Prishtinë | 18 Tet 2026 | 14:40 | Nga Ekonomia Online

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 ka nxitur përplasje mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama dhe ministrit të Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, shkruan Ekonomia Online.

Derisa Rama paralajmëron se Kosova mund ta humbasë të drejtën e organizimit të kësaj ngjarjeje të rëndësishme sportive, Gashani garanton se Lojërat do të mbahen në Kosovë.

Kreu i Prishtinës ka ngritur alarmin për rrezikun që Kosova ta humbasë organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030, duke ia atribuuar përgjegjësinë nivelit qendror.

Madje Rama ka publikuar një letër të Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG), në të cilën evidentohen shqetësime serioze lidhur me mospërmbushjen e detyrimeve financiare dhe administrative.

Ai ka shkruar në Facebook se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte kërkuar që të ndryshohej slogani i Lojërave Mesdhetare nga “Prishtina 2030” në “Kosova 2030”, për të cilën kërkesë Rama thotë se organizatorët ishin “skandalizuar”.

“Jozyrtarisht, e din ti e unë çka na kanë thënë! E din që janë skandalizu kur shefi yt, Kurti, ka lyp me ndryshu emrin nga ‘Prishtina 2030’ në ‘Kosova 2030’, kur ka lyp me u bo vet kryetar, etj., etj.!”, ka shkruar Rama, duke iu drejtuar ministrit të Sportit, Blerim Gashani.

Sipas kësaj letre, institucionet e Kosovës nuk kanë siguruar garancinë e kërkuar financiare, nuk kanë përmbushur disa detyrime për pagesa dhe nuk i janë përgjigjur një komunikimi të mëhershëm të ICMG-së.

Rama paralajmëron se nëse nuk ndërmerren veprime konkrete, organizimi i Lojërave mund t’i kalojë një shteti tjetër.

Gashani: Kosova do t’i organizojë Lojërat Mesdhetare 2030

Në anën tjetër, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka hedhur poshtë alarmin e ngritur nga Rama, duke garantuar se Kosova do të jetë organizatore e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030.

Gashani e ka kritikuar kryetarin e Prishtinës për publikimin e korrespondencës me ICMG-në, duke vlerësuar se ajo nuk pasqyron tërësinë e komunikimeve dhe angazhimeve institucionale.

Sipas tij, Qeveria është duke punuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për përmbushjen e të gjitha detyrimeve, ndërsa vështirësitë që shoqërojnë organizimin e një ngjarjeje të tillë po trajtohen me seriozitet.

“Lojërat Mesdhetare janë një përgjegjësi e përbashkët dhe një mundësi historike për Kosovën. Qeveria e Republikës së Kosovës që nga fillimi është dhe do të jetë garantuesja e tyre”, ka shkruar Gashani.

Gashani ka theksuar se Qeveria mbetet garantuese e organizimit të Lojërave dhe se përkushtimi institucional është i palëkundur.

Megjithatë, letra e ICMG-së ngre shqetësime konkrete që kërkojnë përgjigje institucionale, pavarësisht garancive politike.

Më 19 dhjetor pritet që Komiteti Ekzekutiv i ICMG-së të shqyrtojë mundësinë e thirrjes së një Asambleje të Jashtëzakonshme, e cila do të trajtonte të ardhmen e organizimit.

Ndryshe, Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) ka votuar pro kandidaturës “Prishtina 2030”.

Kosova shënoi një fitore të madhe me 55 vota pro, 8 kundër dhe tri vota të pavlefshme.

Shqipëria do të jetë bashkëorganizatore, pasi sporti i lundrimit do të zhvillohet në bregdetin shqiptar.

Pavarësisht se Kosova ishte kandidatja e vetme, procesi nuk ishte aspak i lehtë, marrë parasysh kundërshtimin e madh të Serbisë.

Kosova duhet ta ketë të gatshme infrastrukturën sportive përafërsisht deri në vitin 2028, para se ajo të testohet dhe të pranohet nga federatat ndërkombëtare. Qeveria ka ndarë 250 milionë euro për Lojërat në një projektligj, i cili duhet të miratohet nga Kuvendi.

Të ngjashme