Shembet ndërtesa shumëkatëshe në Nairobi, dy persona nxirren të gjallë nga rrënojat

Prishtinë | 25 Tet 2026 | 08:54 | Nga Ekonomia Online

Dy persona janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat e një ndërtese të shembur në kryeqytetin e Kenias, Nairobi, ndërsa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për pesë persona të tjerë që rezultojnë të zhdukur.

Në kohën e shembjes, dhjetëra punëtorë ndërtimi po punonin në katet e sipërme të objektit, por shumica arritën të dalin pa lëndime serioze.

Sipas autoriteteve, personat që rezultojnë të zhdukur dyshohet se ndodheshin në dyqanet e vendosura në pjesën e poshtme të ndërtesës.

Dy personat e shpëtuar të shtunën janë dërguar në spital, njoftoi policia, shkruan BBC.

Zyrtari i Ministrisë së Brendshme, Kipchumba Murkomen, bëri të ditur se nga 67 punëtorët e ndërtimit që ndodheshin në objekt në momentin e shembjes, 66 arritën të dilnin pa lëndime, ndërsa një tjetër pësoi lëndime që nuk rrezikonin jetën.

Ndërkohë, policia ka nisur kërkimet për pronarin e ndërtesës dhe kontraktorin përgjegjës për punimet. Autoritetet po hetojnë rrethanat e ngjarjes, e cila ka ngritur shqetësime të reja për standardet e ndërtimit dhe zbatimin e rregullave të sigurisë në Kenia.

Ndërtesa ishte ende në ndërtim e sipër kur u shemb, ndërsa në katet e poshtme, sipas zyrtarëve, kishin nisur punën 11 dyqane.

Pamjet nga zona e Eastleigh në Nairobi tregojnë katet e betonit të grumbulluara njëra mbi tjetrën. Ekipet e shpëtimit po presin pjesë metalike për të arritur te personat që besohet se kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.

Të ngjashme