Ymeri: QKUK-ja ka 947 infermierë më pak, pavarësisht rritjes së buxhetit

Prishtinë | 25 Tet 2026 | 08:58 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka pretenduar se numri i infermierëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është përgjysmuar, në kohën kur buxheti është rritur gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Përmes një postimi, Ymeri ka thënë se mungesa e infermierëve po i detyron qytetarët të kërkojnë ndihmë nga familjarët apo forma të tjera të asistencës gjatë trajtimit në QKUK.

“Me fjalë të tjera, ne jemi detyruar të marrim të afërm e çfarëdo forme tjetër asistence, me infermierë aktualë që punojnë totalisht jashtë kapaciteteve, sepse qeveria e Albin Kurtit ka vendos me pas 947 infermierë më pak në QKUK”, ka shkruar Ymeri.

Ajo ka bërë të ditur se të dhënat për numrin e infermierëve në QKUK i ka marrë nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Ymeri ka përmendur gjithashtu rënien e numrit të infermierëve si anëtarë të Odës së Infermierëve, duke iu referuar të dhënave që, sipas saj, tregojnë për këtë trend.

Të ngjashme