Ish-kreu i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas rastit tragjik në Vitomiricë të Pejës, ku u vra Arlinda Zekaj.
Në një reagim në Facebook, Haradinaj e ka cilësuar rastin si trishtues, duke theksuar se ngjarje të tilla, të cilat sipas tij po përsëriten shpesh në vend, janë të papranueshme dhe kanë tejkaluar çdo kufi njerëzor.
Ai ka bërë thirrje që të ndërmerren hapa konkretë për parandalimin e rasteve të tilla, duke kërkuar reflektim shoqëror dhe drejtësi më të ashpër.
“Është urgjencë që gjërat të marrin kahje ndryshe. Vrasjet duhet të ndalen, shoqëria duhet të reflektojë, ndërkaq drejtësia ta kryejë punën e saj dhe të ashpërsohet në këtë drejtim. Mbi të gjitha, është jetike që organet kompetente të japin përgjegjësi të plotë për çdo neglizhencë apo dështim në mbrojtjen e jetës së qytetarëve. Ngushëllime familjes që humbi më të dashurën e tyre”, shkroi Haradinaj.