Ekonomia e Kosovës pritet të rritet me 3.6% më 2026, ndërsa inflacioni të arrijë mesatarisht 6%. Banka Botërore paralajmëron se zgjatja e pasigurisë politike mund të vonojë reformat, të dobësojë besimin e investitorëve dhe të rrezikojë qasjen në financimin e jashtëm.
Në raportin “Macro Poverty Outlook” të tetorit 2026, institucioni financiar ndërkombëtar vlerëson se konsumi do të vazhdojë të jetë shtytësi kryesor i ekonomisë së Kosovës, i mbështetur nga pagat, transferet qeveritare dhe remitancat, raporton KosovaPress.
Projeksioni për këtë vit është i njëjtë me rritjen e shënuar më 2025. Për vitin 2027 parashikohet zgjerim ekonomik prej 3.8%, ndërsa për vitin 2028 prej 3.9%.
Megjithatë, Banka Botërore thekson se rreziqet mbeten të konsiderueshme. Krahas zhvillimeve politike brenda vendit, çmimet më të larta të karburanteve dhe pasojat e konfliktit në Lindjen e Mesme mund të rëndojnë aktivitetin ekonomik. Investimet përballen gjithashtu me kosto më të larta të importeve.
Sipas raportit, ekonomia u rrit me 5.4% në tremujorin e parë të vitit 2026, e mbështetur nga eksportet neto dhe konsumi qeveritar. Në gjysmën e parë të vitit, eksportet e mallrave u shtuan me 19% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa ato të shërbimeve me 13%.
Presioni i çmimeve, ndërkaq, vazhdoi të ndikojë të ardhurat e qytetarëve. Inflacioni mesatar në 6 muajt e parë arriti në 6.5%. Ndonëse rritja vjetore e çmimeve të ushqimeve u ngadalësua nga 8% në shkurt në 2.7% në korrik, transporti shënoi shtrenjtim dyshifror duke filluar nga marsi.
Banka Botërore parashikon që varfëria të ulet lehtë, nga 22.2% më 2025 në 22% më 2026, sipas pragut prej 8.30 dollarësh në ditë, të përshtatur për fuqinë blerëse. Norma pritet të zbresë në 21.1% më 2027 dhe në 20.2% më 2028.
Raporti paralajmëron se një rritje e re e çmimeve ushqimore do të përbënte rrezik të veçantë për familjet më të cenueshme. Ushqimi zë 64% të konsumit të përgjithshëm të 10% më të varfër të popullsisë.
Në financat publike, të hyrat tatimore në 7 muajt e parë u rritën mesatarisht me 9%, por shpenzimet u shtuan me 19%. Banka Botërore evidenton nevojën për ndihmë sociale më të shënjestruar dhe për orientimin e shpenzimeve drejt investimeve kapitale cilësore.
Për rritje më të qëndrueshme, institucioni kërkon përshpejtimin e zbatimit të Planit të Rritjes të BE-së, investime në energji, infrastrukturë dhe arsim, si dhe përmirësim të mjedisit të biznesit. Përfshirja më e madhe e grave në tregun e punës dhe aftësimi profesional vlerësohen gjithashtu si thelbësore për krijimin e më shumë vendeve të punës.