Në 10-vjetorin e vrasjes së aktivistit Astrit Dehari, është mbajtur akademi përkujtimore, ku bashkëaktivistë, miq dhe bashkëvendës të tij kujtuan jetën, veprimtarinë politike dhe angazhimin e tij për drejtësi, solidaritet dhe përparim shoqëror. Në këtë akademi, ish-aktivisti Egzon Haliti, bashkëvendësi Destan Hajdini dhe shoqja e bashkëaktivistja Rine Zhitia ndanë kujtimet e tyre për Deharin, duke vënë në pah përkushtimin e tij ndaj njerëzve, guximin dhe bindjet politike që e karakterizonin, raporton Ekonomia Online.
Ish-aktivisti Egzon Haliti, i cili tregoi se me Astrit Deharin kishte qenë shok i lagjes që nga fëmijëria, tha se ai dallohej për solidaritetin, bindjet e forta politike dhe dëshirën për t’i kthyer idetë në veprime konkrete në shërbim të njerëzve.
“Përveç se ka qenë jashtëzakonisht solidar dhe njerëzor, Astriti ka pasur thellësi dhe bindje të forta politike, të cilat i vëreja nga diskutimet e përditshme dhe literatura e ndryshme që m’i propozonte për lexim. Mirëpo veçantia e tij më e madhe ka qenë vullneti i pashtershëm i tij për ta kthyer teorinë në praktikë. Ai nuk mjaftohej vetëm me leximin, diskutimin apo debatin, nëse ato ide nuk mund t’i jetonte sa më shumë në përditshmërinë e tij. Një nga dëshirat e tij që ma ka përmendur disa herë, tregon më së miri se kush ishte ai në thelb. Ai planifikonte që pas diplomimit në mjekësi, të formonte një grup mjekësh vullnetarë dhe të bënte vizita sistematike, sidomos në fshatrat e thella, për t’u shërbyer njerëzve në nevojë dhe familjeve të varfra, që e kishin të vështirë qasjen në shërbimin mjekësor”, tha Haliti.
Ai theksoi se kujtimi për Deharin nuk duhet të mbetet vetëm në nivelin e ceremonive përkujtimore, por duhet të shërbejë si thirrje për vazhdimin e angazhimit për vlerat që ai përfaqësonte.
“Dhe këtë duhet ta kujtojmë e theksojmë, e nuk duhet ta ndalim përpjekjen tonë deri në zbardhjen e vrasësve dhe nxitësve të kësaj vrasjeje. Ai është dëshmor i cili u angazhua çdo ditë për demokratizimin dhe progresin shoqëror. Dashuria për vendin, për njerëzit, për ata që kanë më pak, ishin angazhimi i përhershëm i Astritit. Ndërsa sot kur flasim për Astritin, rrezikojmë shpesh që kujtimin e tij ta kthejmë vetëm në një ritual përkujtimor. Prandaj, sa herë ta kujtojmë, duhet të na shërbejë si pasqyrë, e cila e mat raportin tonë me vlerat që ai përfaqësonte”, u shpreh Haliti.
Ndërkaq, bashkëvendësi Destan Hajdini kujtoi angazhimin e hershëm politik të Astrit Deharit, duke theksuar se ai ishte përfshirë në protesta dhe demonstrata që në moshë shumë të re.
Ai rikujtoi se Dehari ishte arrestuar më 13 gusht 2016 dhe se kishte qëndruar 67 ditë në burgun e Prizrenit, ku edhe humbi jetën më 5 nëntor të po atij viti.
“Sot po përkujtojmë dhjetëvjetorin e vrasjes së Astritit, i cili u arrestua më 13 gusht 2016 pa ngritje aktakuze. Pa ngritje të aktakuzës, në procesin hetimor, në ditën e 67-të u privua nga jeta Astriti. Ai ishte një djalë që, për dallim prej një numri jo të vogël, aktivitetin e tij politik mund të regjistrohet se kishte filluar shumë herë. Nuk kishte më shumë se 83 ditë gjetje, kur ishte për herë të parë pjesëmarrës në demonstratën dyjavore që ishte organizuar në Prishtinë. Ai ishte pjesëmarrësi më i ri, në mesin e 10 mijë protestuesve”, tha Hajdini.
Hajdini përmendi edhe përkushtimin e Deharit në aktivitetet kombëtare dhe politike, si dhe bëri një krahasim mes tij dhe veprimtarit Adem Demaçi, duke theksuar se të dy kishin lindur në të njëjtën datë, por përfunduan me përvoja krejtësisht të ndryshme në burgjet e Kosovës.
“Astriti ka lindur në 26 shkurt, në të njëjtën datë kur ka lindur Adem Demaçi, 54 vjet më herët. Adem Demaçi 28 vjet burg i mbajti, ndërsa Astriti vetëm 67 ditë qëndroi në burgun e Prizrenit dhe nuk doli gjallë. Prizreni, i cili kur e arrestojnë Astritin, ishte një qytet i Kosovës, i një shteti me mbi 100 njohje, si shtet i pavarur në sytë tanë, por në të cilin Astriti nuk kishte asgjë, e nuk i doli gjë”, u shpreh ai.
Në akademi foli edhe Rine Zhitia, shoqe dhe bashkëaktiviste e Deharit, e cila kujtoi mënyrën se si ai i afronte njerëzit, veçanërisht aktivistët e rinj, duke i bërë pjesë të natyrshme të organizimit dhe angazhimit të përbashkët.
Ajo tha se Dehari ishte gjithmonë i buzëqeshur, i vëmendshëm dhe i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, ndërsa kujtoi edhe guximin e tij në përballjet me dhunën e aparatit shtetëror.
“Në aktivitete, takime, Astriti vinte gjithmonë nga biblioteka. I buzëqeshur, me humor të mirë. I vëmendshëm për gjithçka që ndodhte rreth tij. Kur jam njoftuar me aktivistët për herë të parë dhe me lëvizjen nga brenda, ende nuk i kisha mbushur 18 vjet. Në një shoqëri ku njerëzit tashmë e njohin mirë njëri-tjetrin, nuk është gjithmonë e lehtë me u përfshirë për herë të parë. Po Astriti e bënte këtë krejt të natyrshme. Natyrshëm më inkuadronte në biseda, në aktivitete. Mes njerëzve që për mua ishin ende të panjohur, pa më bërë mu ndier i huaj as i jashtëm”, kujtoi Zhitia.
Ajo theksoi se përkushtimi politik i Deharit ishte i lidhur ngushtë me kujdesin për njeriun, ndërsa shtoi se bisedat dhe këshillat e tij vazhdojnë të mbeten të rëndësishme edhe sot.
“E kam takuar shpesh dhe me bisedu për dilemat që i kam pasur, disa prej atyre bisedave më vijnë hala në ndihmë në situata pasigurie. Ishte student i dalluar, me pasion të madh për mjekësinë, për të cilin aktivizmi politik e shëndetësia ishin forma të ndryshme të së njëjtës përkujdesje për njeriun. Kur mendoj sot për aktivizmin e tij, mendoj edhe për mënyrën qysh më ka përfshirë në ato ditë të para. Se edhe aty ndërtohej lëvizja. Te besimi që i jepej një aktivisti të ri me fol e me marrë përgjegjësi. Për mua, aktivist është dikush që e ka fjalën dhe veprën, me ndihmën e aksionit të pandashëm. E aktivizmi i Astritit ka qenë vërtetësia e mendimit të tij. Astritin do e kujtojmë gjithmonë me dashuri. E po me atë këmbëngulje do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të”, deklaroi Zhitia.
Astrit Dehari vdiq më 5 nëntor 2016, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.



