Qëndrueshmëria financiare e agjendës për barazi gjinore, në fokus të konferencës së QKSGJ-së

Prishtinë | 06 Nën 2026 | 15:19 | Nga Ekonomia Online

Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ), në bashkëpunim me Agjencinë për Barazi Gjinore, ka organizuar konferencë të nivelit të lartë me temën “Qëndrueshmëria financiare e agjendës për barazi gjinore, drejt një Planifikimi të Mbështetjes së Organizatave të Grave”, ku u diskutua për sfidat e financimit të organizatave të grave, mbështetjen institucionale dhe nevojën për sigurimin e qëndrueshmërisë afatgjatë të agjendës për barazi gjinore në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Drejtoresha Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Edi Gusia, theksoi se rastet e fundit të femicidit dhe humbja tragjike e jetës së grave dhe vajzave e bëjnë edhe më të domosdoshëm bashkëpunimin shoqëror dhe institucional për parandalimin e dhunës.

“Posaçërisht duke pasur parasysh humbjen tragjike të jetës së një gruaje të re, Arlinda Zekaj, po ashtu humbjen e jetës së një foshnje një vajzë tre mujorëshe, të cilat humbën jetën në mënyrë më mizore, dhe këto humbje na vënë para një përgjegjësie edhe më të madhe si shoqëri, si institucione, organizata të grave dhe burrat e kësaj shoqërie, se është e domosdoshme ta ngrisim nivelin e bashkëpunimit dhe lokalizimit për fuqizimin e grave dhe vajzave që ta parandalojmë dhunën dhe ta mbrojmë jetën e çdo gruaje, vajze apo fëmije vajzë, pa dallim moshe apo etnie”, u shpreh ajo.

Gusia foli edhe për sfidat financiare me të cilat po përballen organizatat e grave, si pasojë e zvogëlimit të fondeve dhe ndryshimit të prioriteteve të donatorëve ndërkombëtarë.

“Po ashtu, ky diskutim vjen në një moment kur organizatat e shoqërisë civile, e posaçërisht organizatat e grave, po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha financiare, si rezultat i zvogëlimit të fondeve në dispozicion dhe ndryshimeve në prioritetet e financimit të partnerëve tonë ndërkombëtarë. Këto zhvillime në përgjithësi kanë krijuar pasiguri për vazhdimësinë e programeve të shoqërisë civile, për ruajtjen e kapaciteteve profesionale të tyre dhe ofrimin e shërbimeve të cilat ato e kanë ofruar me profesionalizëm ndër vite, për grupe të cilat kanë më së shumti nevojë. Për qeverinë e Republikës së Kosovës, kjo nuk shihet vetëm si një sfidë e sektorit të shoqërisë civile, por si një çështje që kërkon vëmendje dhe trajtim. Puna e organizatave të grave nuk është një kontribut dytësor në proceset e zhvillimit demokratik dhe shoqëror të vendit. Përkundrazi, ajo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve tona të përbashkëta për ta ndërtuar një shoqëri të barabartë, më gjithëpërfshirëse dhe me institucione më të përgjegjshme. Kontributi i organizatave të grave në avokim, hulumtim, monitorim të zbatimit të legjislacionit, ngritje të vetëdijes dhe përfaqësimit të interesave të grave janë thelbësore për efikasitetin e politikave tona. Për këtë arsye, qëndrueshmëria financiare e agjendës për barazi nuk duhet të mbetet e varur nga projekte afatshkurtër dhe ciklet e financimit të donatorëve. Njëkohësisht, jemi të vetëdijshëm se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile nuk mund të jetë efektiv pa dialog të mirëfilltë, të vazhdueshëm dhe të hapur”, tha ajo.

Kurse, drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, tha se diskutimi për të drejtat e grave po zhvillohet në një kohë të rëndë për shoqërinë, pas rastit të fundit të femicidit, duke theksuar se organizatat e grave do të vazhdojnë angazhimin e tyre për drejtësi dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.

“Edhe unë dua veç ta theksoj para se ta nis fjalën time: vërtet sot është vështirë të jemi dhe të diskutojmë për të drejtat e grave kur një tjetër jetë e një gruaje kosovare është ndërprerë nga femicidi. Ndihemi të tronditura si gra, si organizata të grave, të zemëruara, por mbi të gjitha ndihemi të obliguara të mos lejojmë që këto raste të bëhen pjesë e një normaliteti me të cilin mësohemi. Prandaj, të shtunën do të jemi prapë në protestë, derisa të arrihen kërkesat tona. E kemi obligim që të jemi edhe në rrugë, edhe në tavolina, për t’i diskutuar disa çështje që vërtet e kanë vështirësuar shumë jetën e grave”, theksoi ajo.

Demolli theksoi se financimi i qëndrueshëm dhe pavarësia e organizatave të grave janë thelbësore për vazhdimësinë e punës në avancimin e barazisë gjinore.

“Tema e këtij viti, “Qëndrueshmëria financiare e agjendës për barazi gjinore, drejt një planifikimi të mbështetjes së organizatave të grave”, prek një nga çështjet më thelbësore për të ardhmen e barazisë gjinore në vendin tonë. Kush e financon këtë agjendë? Kush mban përgjegjësi për vazhdimësinë e saj dhe si mund të sigurohemi që puna për të drejtat e grave të mos varet nga ciklet e financimit të donatorëve, ndërsa financimi t’u mundësojë pavarësi organizatave që udhëhiqen nga gratë?”, ka pyetur ajo.

“Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, i publikuar para dy ditësh, konfirmon se ende nuk mund të flasim për progres të qëndrueshëm në fushën e barazisë gjinore. Edhe pse Kosova ka një kornizë të zhvilluar ligjore dhe institucionale, zbatimi mbetet i çalë, buxhetimi gjinor i pamjaftueshëm, dhe financimi i shërbimeve për gratë që përjetojnë dhunë i paqëndrueshëm. Kjo situatë tregon se nuk na mungojnë vetëm politikat, por mbi të gjitha zbatimi i përgjegjësive institucionale dhe investimi financiar. Kjo sjell një kontradiktë që duhet ta adresojmë hapur: nga njëra anë, institucionet presin që organizatat e grave të jenë partnerë në zbatimin e politikave publike, monitorimin e institucioneve dhe ofrimin e mbështetjes për gratë, ndërsa nga ana tjetër, vazhdimësia e punës së tyre mbetet kryesisht e varur nga projektet afatshkurtra, të mbështetura nga donatorët ndërkombëtarë. Gjendja e tillë nuk garanton qëndrueshmëri vepruese; ajo rrezikon të humbasë kapacitetin profesional, përvojën shumëvjeçare, ekspertizën dhe kujtesën institucionale që është ndërtuar përgjatë dekadave me shumë punë e mund nga të gjithë ata që kanë kontribuar”, tha ajo.

Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, foli për mbështetjen e vazhdueshme të BE-së në forcimin e institucioneve dhe avancimin e barazisë gjinore, duke kërkuar trajtimin e femicidit si emergjencë kombëtare.

“Femicidi mbetet një çështje shqetësuese, me tetë raste të regjistruara deri më tani këtë vit. Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me anëtarët e tjerë të komunitetit ndërkombëtar, ka qenë i zëshëm se këto raste nuk e kanë vendin në shoqërinë bashkëkohore. Shoqëria civile me të drejtë kërkon nga të gjitha institucionet e Kosovës që ta trajtojnë femicidin si një emergjencë kombëtare. Më gjerësisht, Bashkimi Evropian në Kosovë e ka mbështetur mandatin e agjencisë që nga fillimi. Ka pasur shumë sfida gjatë rrugës për ndërtimin e këtij institucioni, por tashmë agjencia është bërë një pjesë e pazëvendësueshme e peizazhit institucional të Kosovës në fushën e barazisë gjinore.

Gjatë dy dekadave të kaluara, shumë vende anëtare të OKB-së kanë mbështetur forcimin institucional të agjencisë, përfshirë edhe përmes asistencës teknike. Bashkimi Evropian ka ndihmuar në zhvillimin dhe zbatimin e ligjeve dhe politikave, siç janë ligji për barazi gjinore dhe programet përkatëse, duke siguruar harmonizimin me standardet dhe direktivat e BE-së, si dhe me tre objektivat e Planit të Veprimit të BE-së për Gjinore. Znj. Demolli ka përmendur tashmë raportin vjetor të publikuar vetëm dy ditë më parë, i cili tregon nga njëra anë se ka pasur hapa konkretë dhe të dukshëm në avancimin e barazisë gjinore, dhe se kuadri ligjor e institucional është kryesisht në vend. Megjithatë, sfidat mbeten: harmonizimi i plotë me direktivat përkatëse të BE-së ende duhet të arrihet, dhe zbatimi i këtyre politikave e i këtij kuadri ligjor gjithashtu duhet të realizohet plotësisht. Pra, ka ende shumë punë për t’u bërë, por ne besojmë se mund ta bëjmë së bashku. Kosova mund t’ia dalë me mbështetjen e BE-së, sepse ne besojmë në një Kosovë ku çdo person, pavarësisht gjinisë, përkatësisë etnike, fesë apo prejardhjes sociale, trajtohet me dinjitet e respekt dhe gëzon të drejta, mundësi e mbrojtje të barabartë me ligj”, tha ai.

Shefja e Zyrës së UN Women në Kosovë, Vlora Tuzi-Nushi, prezantoi të dhëna për vështirësitë financiare të organizatave të grave në nivel global, duke paralajmëruar se mungesa e fondeve po rrezikon vazhdimësinë e shërbimeve për gratë dhe vajzat.

“Raporti i vitit 2026, pra sivjet, me 855 organizata në 52 vende dhe kontekstet e prekura nga kriza, tregon se 84% e organizatave të grave që ofrojnë shërbime esenciale për gratë dhe vajzat në komunitet nuk janë më në gjendje t’i përmbushin nevojat aktuale. Dy në pesë organizata presin të pezullojnë punën ose të mbyllen brenda aktivitetit. Kjo tregon që nuk kemi të bëjmë vetëm me një çështje të qëndrueshmërisë së organizatave, por me vazhdimësinë e shërbimeve të mbrojtjes së të drejtave të grave.

Kjo sfidë bëhet edhe më e theksuar në kontekstin aktual global, ku luftërat, konfliktet dhe tensionet gjeopolitike po ndikojnë drejtpërdrejt në prioritetet e investimeve. Shpenzimet globale ushtarake sivjet kanë arritur 2.9 trilion dollarë në vitin 2025, ndërsa ndihma zyrtare për zhvillim, ku përfshihet edhe agjenda e barazisë gjinore, ka rënë për 23.1%.

Pra, sipas raportit Gender Snapshot të vitit 2025 të UN Women dhe UNDESA (Departamenti për Çështje Ekonomike dhe Sociale), nëse ky trend vazhdon, 351 milionë gra dhe vajza do të jetojnë në varfëri ekstreme deri në vitin 2030. Këto shifra dëshmojnë se investimi në barazi gjinore nuk është opsional, por domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm”, tha ajo.

Të ngjashme