Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka mbajtur fjalim në ceremoninë e diplomimit të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës dhe ka theksuar rëndësinë e Policisë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë, si dhe në ndërtimin e besimit të qytetarëve në institucione, raporton Ekonomia Online.
“Siguria dhe rendi. Ajo është një nga simbolet e qetësisë sonë, e besimit të qytetarëve dhe përpjekjes sonë për të ndërtuar një vend ku ligji vlen për të gjithë dhe ku secili qytetar ndihet i sigurt dhe i mbrojtur”, tha Sveçla.
Ai ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës dhe çdo forme të paligjshmërisë do të vazhdojë pa kompromis.
“Këto janë vlera për të cilat kemi punuar dhe për të cilat duhet të vazhdojmë të punojmë, një vend më i drejtë, më i sigurt dhe me më shumë mundësi për të gjithë, një vend ku liria, barazia dhe drejtësia nuk mbeten vetëm parime, por bëhen pjesë e jetës së përditshme të secilit qytetar. Në këtë rrugëtim, Policia e Kosovës ka një rol të pazëvendësueshëm”, shtoi.
Sveçla u është drejtuar kadetëve të rinj, duke theksuar se uniforma policore nuk është simbol i pushtetit mbi qytetarët, por i përgjegjësisë ndaj tyre.
“Prandaj, diplomimi i gjeneratës së 63-të është një moment i rëndësishëm, jo vetëm për ju që sot po mbyllni përgatitjen tuaj, por edhe për policinë dhe për vendin tonë, të cilit i bashkohet një gjeneratë e re e gatshme për të marrë përgjegjësinë e shërbimit ndaj qytetarëve. Të dashur djem e vajza, kadetë, e… që nga sot polica e Kosovës, sot po mbyllni një fazë të rëndësishme të përgatitjes suaj dhe po nisni një rrugëtim të ri, atë të shërbimit ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ky profesion kërkon përkushtim të vazhdueshëm, disiplinë, guxim dhe gatishmëri për të marrë përgjegjësi edhe në rrethanat më sfiduese. Dua t’ju rikujtoj se uniforma që do të mbartni nuk është simbol i pushtetit mbi qytetarët, por i përgjegjësisë ndaj tyre”, theksoi Sveçla.