Pas bojkotimit për shkak të kushteve të higjienës, mësimi në shkollë do të rifillojë të hënën, më 9 nëntor 2026.
Kështu ka bërë të ditur Kryesia e Këshillit të Prindërve të Shkollës (KPSH), përmes një njoftimi, ku thuhet se pas insistimit dhe kërkesave të vazhdueshme të prindërve, shkolla është pastruar në tërësi.
Sipas KPSH-së, inspektorët sanitarë kanë kryer inspektimin gjatë ditës së sotme dhe kanë dhënë rekomandimet përfundimtare. Po ashtu, përfaqësuesit e Këshillit të Prindërve kanë inspektuar ambientet e shkollës, ku kanë konstatuar përmirësim të dukshëm të kushteve të pastërtisë dhe higjienës.
Kryesia e KPSH-së ka bërë të ditur se ka zhvilluar edhe një takim urgjent me përfaqësuesit e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA), nga të cilët kanë marrë zotime se situata të tilla nuk do të përsëriten.
Gjithashtu, prindërit janë njoftuar se është nënshkruar një marrëveshje për zgjidhje alternative me NPB-në dhe kompaninë “Pastrimi”, e cila do të aktivizohet në rast të problemeve të ngjashme në të ardhmen.
KPSH-ja vlerëson se bojkoti e ka arritur qëllimin dhe se, bazuar në përmirësimet e konstatuara dhe zotimet e marra, janë krijuar kushtet për rifillimin e procesit mësimor.