Gjykata Themelore në Gjilan – Dega në Viti, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji katër personave të dyshuar për armëmbajtje pa leje.
Sipas njoftimit të gjykatës, të dyshuarit me inicialet B.T., L.H., Sh.R. dhe L.C. janë arrestuar pas një incidenti të ndodhur më 4 nëntor, rreth orës 22:50, në kafiterinë “Intro”, në rrugën “Ibrahim Rugova” në Gjilan.
Gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë, te tre prej të dyshuarve janë gjetur pistoleta me karikatorë dhe fishekë, ndërsa te personi i katërt është gjetur një thikë.
Armët dhe mjetet e gjetura janë sekuestruar nga Policia e Kosovës, pasi që të dyshuarit nuk posedonin leje për mbajtjen e tyre.
Gjykata ka bërë të ditur se masa e paraburgimit është caktuar me arsyetimin se, nëse të dyshuarit lihen të lirë, mund të ndikojnë te dëshmitarët, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit të pasojave të veprimeve të tyre.
Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.