Në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC) të Ministrisë së Punëve të Brendshme u mbajt një ceremoni solemne, me ç’rast u bë shpërndarja e patentë-shoferëve të parë profesionalë.
Në këtë aktivitet morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, z. Enver Dugolli, zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Transportit, z. Zef Morina, drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Regjistrimit Civil, z. Jetmir Haziri, si dhe zyrtarë të tjerë të institucioneve përkatëse.
Me këtë rast, zëvendësministri Dugolli theksoi se me aktin e sotëm solemn po përmbushet edhe një kriter i rëndësishëm i zotimeve tona për avancimin e shërbimeve. Ai tha se lëshimi i patentë-shoferëve profesionalë shënon një hap të rëndësishëm edhe në përmirësimin e proceduravee administrative, duke u mundësuar qytetarëve që të certifikohen si drejtues profesionalë.
Ky proces është rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme, përmes Agjencisë së Regjistrimit Civil, dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, me synim ofrimin e shërbimeve më efikase dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët.
Me lëshimin e këtij dokumenti të nevojshëm për qarkullimin rrugor, krahas patentë-shoferëve të rregullt dhe atyre ndërkombëtar, arrihet të përmbushet edhe një standard profesional ndërkombëtar në këtë fushë.
Të gjithë qytetarët që dëshirojnë të pajisen me patentë-shoferë profesionalë duhet të bëjnë aplikimet përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit, ndërsa pas përfundimit të të gjitha procedurave, patentë-shoferi profesional personalizohet përmes Ministrisë së Punëve të Brendshme.

