Hoti për projektbuxhetin 2027: Është plan kontabël, jo strategjik, mashtrim i qytetarëve me shifra të mëdha

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 18:34 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar projektbuxhetin për vitin 2027, duke e cilësuar atë si një plan kontabël dhe jo strategjik, i cili sipas tij, nuk tregon se cilat janë objektivat zhvillimore të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po shqyrtohet projektbuxheti për vitin 2027, Hoti ka kritikuar edhe deklarimin e ministrit të Financave për rritjen ekonomike, të cilën e ka cilësuar si “organike”.

“E dëgjova me kujdes edhe fjalën e kryeministrit dhe të ministrit të financave dhe, në fakt, më bëri përshtypje deklarimi i ministrit në veçanti që e cilëson rritjen ekonomike në Kosovë si rritje organike. Që nuk ka asgjë të keqe, po çka nënkupton rritja organike? Kjo i bie që, si unë s’kam pas kurrfarë roli në këtë punë, vetvetiu është rritë ekonomia. Kështu nënkupton kjo punë. Pra, rritje organike nënkupton rritje e natyrshme, ku ti s’ke rol fare. Po kështu është e vërteta”, ka thënë Hoti.

Ai ka thënë se buxheti nuk duhet të jetë vetëm një dokument që paraqet shifrat e të hyrave dhe shpenzimeve, por një plan që orienton zhvillimin ekonomik të vendit.

“E keni bërë këtë buxhet jo plan strategjik, por një farë plani kontabël. Buxheti nuk është plan kontabël, është plani strategjik që e orienton kah ka me shku ekonomia. Nëse e shihni me kujdes edhe shifrat edhe pjesën tekstuale, ju nuk gjeni përgjigje pse bëhet kjo shpërndarje e buxhetit. Pra cilat janë ato objektiva që po dojmë me i mbërri? Cilat janë objektiva në fund të 2027-ës e në fund të 2029-ës në tri vitet e ardhshme? Mos harroni, një të tretën e të ardhurave shteti ju merr qytetarëve. Një të tretën e të ardhurave të qytetarëve e mbledhim dhe e shpërndajmë”, ka deklaruar ai.

Hoti ka kritikuar edhe pjesën analitike të dokumentit, duke thënë se objektivat e paraqitura janë të përgjithshme dhe nuk lidhen me shifrat e buxhetit.

“Edhe pjesa analitike e dokumentit, shumë faqesh, nuk ka lidhje me shifrat. Objektivat që vendosen në atë pjesë janë të përgjithshme, abstrakte dhe janë të paverifikueshme. Dhe nuk ka asnjë lloj politike fiskale që është zhvilluar në atë pjesë”, ka thënë Hoti.

Sipas tij, një buxhet strategjik duhet t’u tregojë qytetarëve se si do të ruhet fuqia blerëse, si do të nxitet produktiviteti dhe si do të përmirësohen shërbimet publike.

“Pse po them që buxheti duhet të jetë një plan strategjik? Sepse ti ju tregon qytetarëve me shpenzimet koherente si kemi me e ruajt fuqinë blerëse të të ardhurave. Si kemi me i nxit bizneset edhe qytetarët, edhe të punësuarit në sektorin publik e privat që të rritet produktiviteti. Dhe cila është cilësia e shërbimeve publike që ti ke me rrit këtë buxhet? Ose çfarë kemi me bë nëpër sektorë të veçantë?”, ka deklaruar ai.

Deputeti i LDK-së ka përmendur edhe disa çështje konkrete që, sipas tij, nuk marrin përgjigje në projektbuxhetin e vitit 2027.

“Në shëndetësi, kur kemi me i funksionalizuar sigurimet shëndetësore? Çfarë kemi me bë me stafin shëndetësor që po largohet? Cilat janë investimet në energjetikë për të siguruar stabilitet të furnizimit? Kur kanë me u përmbyll rrjetet e rrugëve, autostradave, hekurudhave e kështu me radhë?”, ka thënë Hoti.

Ai ka paraqitur tri fusha, për të cilat ka thënë se dëshmojnë mungesën e objektivave zhvillimore në këtë projektbuxhet: shëndetësinë, arsimin dhe mbrojtjen.

“Po i jap tre shembuj konkretë që ky buxhet nuk ka lidhje me objektiva zhvillimore. Vetëm tre. Gjeni sa doni në buxhet”, ka thënë Hoti.

Sa i përket shëndetësisë, Hoti ka thënë se buxheti për vitin 2027 përbën 3.04 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa mesatarja e Bashkimit Evropian, sipas tij, është 7.4 për qind.

“Tek shëndetësia: buxheti për shëndetësi për vitin 2027 është 3.04% e produktit të brendshëm bruto. Mesatarja e Bashkimit Evropian është 7.4%. Më shumë se dyfish. Me 3.04% qysh kemi me i siguruar barnat esenciale? Kur kemi me i funksionalizuar sigurimet shëndetësore? Edhe njëherë kaq shpenzohet prej qytetarëve për shërime jashtë vendit, edhe për t’u furnizuar vetë me barna”, ka deklaruar ai.

Në fushën e arsimit, Hoti ka thënë se buxheti i përgjithshëm, duke përfshirë nivelin qendror, komunat dhe Universitetin e Prishtinës, është 3.08 për qind e PBB-së.

“Në fushën e arsimit, nëse e merr buxhetin total për arsim, edhe nivel qendror edhe për komuna, për universitet të Prishtinës e kështu me radhë, është 3.08% e produktit të brendshëm bruto. 3.08%. Mesatarja e Bashkimit Evropian 4.7%”, ka thënë Hoti.

Ndërkaq, për mbrojtjen, ai ka theksuar se shpenzimet janë 1.67 për qind e PBB-së, duke përmendur pragun prej dy për qind dhe objektivin e vendeve të NATO-s.

“Dhe rasti i tretë, në mbrojtje: shpenzimet për mbrojtje i kemi 1.67% të produktit të brendshëm bruto. 2% është pragu. Targeti i shumicës së vendeve të NATO-s është 5%. Ne i kemi 1.67%”, ka deklaruar ai.

Gjatë fjalimit të tij, Hoti ka kërkuar qetësi në sallë, ndërsa më pas ka kritikuar shpenzimet kapitale dhe realizimin e tyre gjatë viteve të fundit.

“Tani, pavarësisht që buxheti ka shifra të mëdha, unë po ju tregoj që kjo është veç mashtrim për qytetarët. Në gjashtë vitet 2021-2026 keni menaxhuar 17.2 miliardë euro. Prej tyre 28% i keni planifikuar për investime kapitale, po vetëm 18 është, 18% është i tyre, 3.1 miliardë euro janë shpenzuar mjetet e buxhetit në këto gjashtë vite për investime kapitale”, ka thënë Hoti.

Hoti ka sfiduar shumicën parlamentare që të identifikojë projektet kapitale që janë realizuar me këto mjete, duke e cilësuar këtë si mashtrim të qytetarëve.

“Merrni lapsin dhe letrën, identifikoni projektin. Me mujt me identifiku projekte në vlerë 3.1 miliardë euro, unë po largohem prej foltores. Është mashtrim enorm i qytetarëve me shifra të mëdha e me realizim askund”, shtoi Hoti.

Të ngjashme