Shukri Buja me mesazh emocionues për Jakup Krasniqin pas vizitës në Kosovë: Të përqafoj fort, Baci Jakup

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 08:31 | Nga Ekonomia Online

Ish-komandanti i UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ka reaguar me një mesazh emocionues lidhur me vizitën e Jakup Krasniqit në Kosovë.

Përmes një shkrimi, Buja ka shprehur mallin dhe respektin për bashkëluftëtarin e tij, duke treguar keqardhjen që nuk pati mundësi ta takonte nga afër dhe ta përqafonte gjatë qëndrimit të tij në atdhe.

“Të pashë përmes syrit të kamerës, Bacë… Dhe më mbeti peng ajo që nuk munda të të përshëndesja, as të të përqafoja si dikur, në ditët kur bashkë e përballonim stuhinë për liri”, ka shkruar Buja.

Ai ka shprehur emocionet e tij edhe për pamjen e Krasniqit, duke veçuar mjekrën e bardhë, në të cilën, sipas tij, pasqyrohen vuajtjet, sakrificat dhe plagët e popullit shqiptar.

Në fund të mesazhit, Buja i drejtohet Krasniqit me fjalë të përzemërta, duke theksuar se largësia nuk e ka zbehur respektin dhe mallin për të.

“Të përqafoj fort, Baci Jakup! Nga larg, por me të njëjtën ndjenjë, me mallin e dikurshëm dhe me respektin e një bashkëluftëtari që nuk të ka harruar kurrë!”, ka përfunduar ai.

Të ngjashme