Rusia ka kryer sulme me dronë dhe raketa balistike ndaj Kievit, duke vrarë të paktën tre persona dhe duke plagosur 15 të tjerë, njoftuan zyrtarët vendas. Sipas kryetarit të Kievit, Vitali Klitschko, raketat balistike goditën tri ura në kryeqytetin ukrainas, duke shkaktuar ndërprerje të qarkullimit në gjithë qytetin.
“Si pasojë e sulmit balistik ndaj kryeqytetit, është dëmtuar ura e Podilit. Qarkullimi nga bregu i djathtë në atë të majtë të lumit është aktualisht i bllokuar. Është dëmtuar edhe ura e Darnitskit”, shkroi Klitschko në Telegram më 20 nëntor.
Ai tha gjithashtu se ura Jugore, e cila ishte shënjestruar edhe më parë nga sulmet ruse, u godit sërish, por nuk specifikoi nëse kishte pësuar dëme.
“Si pasojë e goditjeve është dëmtuar edhe një objekt i infrastrukturës jetike”, shtoi ai më vonë, pa dhënë hollësi të tjera.
Pas sulmit, disa pjesë të Kievit mbetën pa energji elektrike. Kompania energjetike DTEK njoftoi se në gjithë kryeqytetin po zbatoheshin ndërprerje emergjente të rrymës.
“Sulmi masiv ndaj kryeqytetit po vazhdon. Banorëve u bëhet thirrje të qëndrojnë në strehimore deri në njoftimin për përfundimin e rrezikut”, tha Administrata Ushtarake e Qytetit të Kievit në mëngjesin e 20 nëntorit.
“Duke pasur parasysh pasojat e sulmeve të armikut, veçanërisht dëmtimin e infrastrukturës së transportit dhe logjistikës, banorëve të Kievit u bëhet thirrje ta kufizojnë lëvizjen me automjete private nëpër qytet, për të lehtësuar pastrimin e zonave të goditura dhe ndërhyrjen e ekipeve emergjente”, thuhej në njoftim.
Forcat Ajrore të Ukrainës paralajmëruan për praninë e dronëve rusë mbi disa rajone të vendit dhe raportuan lëshimin e raketave, përfshirë në drejtim të Ukrainës perëndimore.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi se kishte kryer sulmet, duke pretenduar se kishte shënjestruar objekte të industrisë ushtarake ukrainase, kapacitete për prodhimin e raketave dhe dronëve, depo të tyre, si dhe infrastrukturën energjetike dhe të transportit në Kiev dhe në gjashtë rajone të tjera. Ministria nuk paraqiti menjëherë prova për të mbështetur pretendimet e saj.
Rusia e ka mohuar vazhdimisht se shënjestron qëllimisht civilët ose infrastrukturën civile, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën.
Sulmet ndaj Kievit vijnë pasi presidenti rus, Vladimir Putin, u zotua për sulme “shumë më të dhimbshme”, pas sulmit të Ukrainës në Urën e Krimesë në fillim të kësaj jave. Nga ky sulm u shkatërrua e vetmja lidhje e drejtpërdrejtë rrugore mes Rusisë dhe gadishullit ukrainas të Krimesë, në Detin e Zi, të cilin Moska e pushtoi në vitin 2014.
Përveç rëndësisë strategjike, ura ka shërbyer edhe si simbol i kontrollit të Moskës mbi Krimenë, një rajon të cilit Putini është përpjekur t’i japë një rëndësi mitike, thuajse fetare, për Rusinë.
Sulmi me dronë dhe raketa balistike ruse ndaj Kievit dhe pjesëve të tjera të Ukrainës vjen gjithashtu një ditë pas një takimi historik mes presidentit amerikan, Donald Trump, liderit kinez, Xi Jinping, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen./REL/