Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se sot është zhvilluar një takim i përbashkët ndërmjet Bordit të Drejtorëve, Menaxhmentit të Korporatës dhe përfaqësuesve të dy organizatave sindikale, SR-KEK dhe SPEK, në frymën e dialogut të hapur, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit të ndërsjellë.
Sipas KEK-ut, gjatë takimit, Bordi dhe Menaxhmenti kanë informuar përfaqësuesit sindikalë lidhur me sfidat aktuale me të cilat po përballet KEK-u, veçanërisht në zbatimin e projekteve madhore të modernizimit të njësive prodhuese, investimeve mjedisore dhe sigurimin e vazhdimësisë së operimeve. Me këtë rast, është kërkuar mirëkuptimi dhe angazhimi i përbashkët i të gjithë punonjësve për tejkalimin me sukses të kësaj periudhe të rëndësishme për Korporatën.
Një nga mesazhet kryesore të takimit ishte pajtueshmëria e plotë e të gjitha palëve se operimet e KEK-ut janë jetike për sigurinë energjetike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve. Në këtë frymë, palët kanë vlerësuar se ruajtja e stabilitetit operacional dhe mbështetja e punonjësve duhet të ecin paralelisht.
“Si rezultat i dialogut konstruktiv dhe frymës së mirëkuptimit të ndërsjellë, Bordi i Drejtorëve, Menaxhmenti i KEK-ut dhe përfaqësuesit e dy organizatave sindikale, SR-KEK dhe SPEK, kanë arritur marrëveshje për mbështetjen financiare të të gjithë punonjësve të Korporatës përmes bonusit.
Kjo marrëveshje pasqyron vlerësimin dhe përkushtimin e KEK-ut ndaj punonjësve të saj, të cilët përbëjnë asetin më të çmuar të Korporatës dhe bartësit kryesorë të funksionimit, zhvillimit dhe suksesit të saj” thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Njëkohësisht, Bordi, Menaxhmenti dhe përfaqësuesit e të dyja sindikatave janë dakorduar që, së bashku me të gjithë punonjësit, të mobilizohen maksimalisht për tejkalimin e sfidave aktuale, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të prodhimit, realizimin e projekteve strategjike dhe përmbushjen e përgjegjësisë së përbashkët ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“KEK-u shpreh falënderim dhe mirënjohje për përfaqësuesit e SR-KEK dhe SPEK, për qasjen konstruktive, mirëkuptimin dhe gatishmërinë për të kontribuar në arritjen e kësaj marrëveshjeje, duke dëshmuar se dialogu social dhe bashkëpunimi institucional janë rruga më e mirë për adresimin e kërkesave të punonjësve dhe tejkalimin e sfidave.
Të bashkuar për punonjësit, të përkushtuar për Korporatën dhe përgjegjës ndaj qytetarëve!” thuhet në njoftim.