“Liza” dhe “Rrumqi” dënohen me nga 18 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me nga 18 vjet burgim Ilir Abdullahun, i njohur si “Liza”, dhe Rrahim Abdullahun, me nofkën “Rrumqi”, për vrasjen e rëndë në bashkëkryerje të zyrtarit policor Triumf Riza, në vitin 2007.

Aktgjykimi dënues është shpallur këtë të premte, ndërsa arsyetimin e vendimit e ka paraqitur kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Avni Syla.

Sipas Betimit për Drejtësi, në seancën e shpalljes së aktgjykimit ishte i pranishëm Ilir Abdullahu, së bashku me avokatin e tij, Ramë Dreshaj. E pranishme ishte edhe avokatja e Rrahim Abdullahut, Agnesa Salihu.

Ndërkaq, në seancë munguan vetë Rrahim Abdullahu dhe prokurorja e rastit, Arbreshë Shala.

Gjykata ka vendosur që Ilir Abdullahut në dënimin prej 18 vjetësh t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Ndërsa, për Rrahim Abdullahun është caktuar vazhdimi i masës së paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të ngjashme