Veturat e Policisë ende me goma të verës? Ibishi: Sezoni nuk pret

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 19:06 | Nga Ekonomia Online

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, ka kritikuar mungesën e gomave për veturat e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar të papranueshme që një institucion i cili kërkon nga qytetarët zbatimin e ligjit, të mos i ketë kushtet e nevojshme për përmbushjen e detyrave të veta.

Ibishi ka thënë se Policia duhet të jetë e përgatitur për sezonin dimëror, para se të kërkojë nga qytetarët që t’i respektojnë rregullat për pajisjen e automjeteve.

Ai ka thënë se është e paqëndrueshme të deklarohet se ka rezerva, kur furnizimi me pajisjet e nevojshme duhet të planifikohet me kohë.

“Policia duhet të kërkojë nga qytetarët zbatimin e ligjit për kalimin nga sezoni veror në atë dimëror, por kur vetë Policia nuk i ka kushtet e nevojshme, atëherë bie në kundërshtim me zbatimin e ligjit.


Është e paqëndrueshme të thuhet se kemi rezerva, kur ato duhet të planifikohen me kohë. Sezoni nuk pret. Gjërat duhet të rregullohen me kohë dhe Policia duhet të jetë vetë e gatshme, para se t’u kërkojë qytetarëve zbatimin e rregullave”, ka thënë Ibishi në KlanKosova.

Ai njëherësh ka bërë thirrje që institucionet të bashkëpunojnë për të shmangur mungesat e tilla, të cilat mund të ndikojnë në funksionimin, mbrojtjen dhe reagimin e Policisë në raste nevoje.

Të ngjashme