Pesë vjet të humbura për energjinë e Kosovës

Prishtinë | 28 Nën 2026 | 10:54 | Nga Safet Gërxhaliu

I njëjti projekt, e njëjta kompani, por kush mban përgjegjësi?

Nëse dje projekti nuk mund të realizohej, ndërsa sot i njëjti investitor shpallet fitues, dikush duhet të shpjegojë se çfarë ndodhi gjatë këtyre pesë viteve dhe kush mban përgjegjësi për kohën e humbur të Kosovës.

Një projekt energjetik që dikur mbeti në gjysmë të rrugës në zyrat e institucioneve të Kosovës, sot rikthehet në qendër të vëmendjes, me të njëjtën kompani franceze si fituese. AKUO Energy, e cila para disa vitesh kërkonte realizimin e investimit në Çiçavicë, tani shpallet fituese e ankandit për ndërtimin e parkut të erës me kapacitet 98 megavat. Pesë vjet kanë kaluar, qeveritë janë ndërruar, procedurat kanë ndryshuar, por pyetja mbetet e njëjtë: pse u la të zvarritej një projekt që sot konsiderohet i realizueshëm dhe kush do të japë llogari për kohën e humbur?

Rasti i kompanisë franceze AKUO Energy dhe projektit për ndërtimin e parkut të erës në Çiçavicë ngre një çështje serioze për mënyrën se si institucionet e Kosovës i trajtojnë investimet strategjike dhe sa përgjegjësi mbajnë për humbjen e kohës dhe mundësive ekonomike.

Projekti, i cili ishte iniciuar që në vitin 2018 dhe kishte kaluar nëpër procedura institucionale gjatë viteve 2020–2021, nuk arriti të finalizohej në atë periudhë. Megjithëse kishte marrë rekomandimin për statusin e investimit strategjik dhe ishte miratuar nga Qeveria në dhjetor të vitit 2020, procedura nuk u përmbyll me pëlqimin parlamentar.

Sot, pas disa vitesh, i njëjti investitor francez rikthehet në skenën e investimeve energjetike në Kosovë dhe shpallet fitues për projektin e parkut të erës me kapacitet prej 98 MW në Çiçavicë.

Këtu lind një paradoks institucional që kërkon përgjigje: nëse projekti ishte ekonomikisht dhe teknikisht i realizueshëm atëherë, pse nuk u mundësua realizimi i tij? Çfarë ndryshoi gjatë këtyre viteve? A ishte problemi te projekti, te investitori apo te institucionet përgjegjëse të Kosovës?

Nuk është fjala vetëm për një investim prej rreth 150 milionë eurosh. Është fjala për pesë vjet të humbura në një sektor strategjik, në një kohë kur Kosova përballet me mungesë të kapaciteteve të reja prodhuese, varësi nga importi dhe pasiguri të vazhdueshme energjetike.

Përgjegjësia nuk mund të fshihet pas ndërrimit të qeverive apo ndryshimit të procedurave administrative. Institucionet që e kanë trajtuar këtë projekt duhet të japin shpjegime publike. Ministritë përkatëse, KIESA, Qeveria dhe Kuvendi duhet të sqarojnë se ku u ndërpre procesi, cilat ishin arsyet konkrete dhe pse nuk u gjet një zgjidhje më herët.

Natyrisht, duhet bërë dallimi ndërmjet projektit të mëhershëm si investim strategjik dhe procedurës së re konkurruese të ankandit. Por ky dallim nuk e eliminon nevojën për të hetuar vonesat dhe vendimmarrjen e kaluar.

Kosova nuk mund të ndërtojë një ekonomi konkurruese nëse investimet strategjike varen nga ritmi i ngadalshëm i administratës dhe paqartësitë institucionale.

Prandaj, kërkohet një auditim i plotë institucional i historikut të këtij projekti, publikimi i dokumentacionit dhe identifikimi i përgjegjësive për çdo vonesë të pajustifikuar.

Sepse energjia nuk është vetëm çështje e prodhimit të megavatëve. Ajo është çështje e sigurisë ekonomike, zhvillimit kombëtar dhe besueshmërisë së shtetit ndaj investitorëve.

Të ngjashme