Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shënuar 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit dhe një nga datat më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare, përmes homazheve dhe një akademie solemne.
Së bashku me ushtruesen e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, deputetët Uran Ismaili dhe Blerta Deliu-Kodra, gjeneralin Rrahman Rama, përfaqësues të kabinetit qeveritar dhe familjarë të dëshmorëve, Idrizi bëri homazhe në Kompleksin e Dëshmorëve në Bletaj, në nderim të të rënëve për lirinë e vendit.
Pas homazheve u mbajt akademia solemne, ku u përkujtua rëndësia historike e 28 Nëntorit, që shënon shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Ditën e Flamurit, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në kuadër të aktiviteteve, u prezantua edhe një program i pasur kulturor e artistik nga Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Hasan Prishtina”, fëmijët e “Horizon Kids” dhe nxënësit e SHMU-2, të cilët përmes këngës, valles dhe interpretimit përcollën mesazhin e krenarisë dhe unitetit kombëtar.
Me këtë rast, u përcollën mesazhe nderimi për të gjithë ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit.