Në komunën e Gjilanit në orët e para të mëngjesit është gjetur e vdekur kryeinfermierja e Spitalit Regjional të Gjilanit, Xhylie Hajdari, e cila dyshohet se ka kryer vetëvrasje.
Policia e ka konfirmuar rastin. “Një femër shtetase e Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan, për Kohën Ditore.
Gazeta ka kontaktuar edhe me Spitalin Rajonal të Gjilanit të cilët kanë deklaruar se nuk kanë informata të detajuara për rastin në fjalë mirëpo e kanë konfirmuar se bëhet fjalë për kryeinfermieren kryesore të Spitalit.
Nisret Hajrullahu, drejtor i spitalit të Gjilanit ka deklaruar se e ndjera ishte një punëtore e palodhur në punën e saj.
“Ajo nuk është sjellë në Spitalin Regjional të Gjilanit pra në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar Qendra e Mjekësisë Familjare edhe për ma tutje nuk e di. Është motër kryesore e Emergjencës dhe kjo është informata që kemi. Ka qenë një motër e cila ka qenë një organizatore e mirë e punës dhe e cila ka punuar me zell kurse për detajet tjera ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.
Ndërsa Fejzullah Berisha, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan thotë se ekipi i ndihmës së shpejti i është përgjigjur rastit në fjalë mirëpo e ndjera është gjetur e vdekur.
“Ka shkuar ekipi dhe është gjetur e varur në shtëpinë e saj në lagjen “Arbëria” dhe ora ka qenë 5 e 30 e mëngjesit”, ka thënë ai.
Hajdari ishte sekretare organizative e Gruas së AAK-së në Gjilan.