Serbia e liron ushtarin e FSK-së, konfirmon Berisha

| 28 Pri 2018 | 17:33 | Nga

Është liruar pjesëtari serb i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Milan Shoshiq, i cili ishte arrestuar dje nga autoritetet serbe në Konçul, ka konfirmuar ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha.

Ai ka thënë se informacioni më i fundit që ai ka marrur nga zinxhiri komandues është lirimi i Shoshiqit.

“Po është liruar. Ky është informacioni më i fundit që unë kam marrur nga zinxhiri komandues”, ka thënë Berisha për Insajderi.

I pyetur për shkaqet e arrestimit, ai ka thënë se po dyshohet që arrestimi i tij është bërë në bazë të deklaratës së shefit të ashtuquajtur zyrës për Kosovë, Marko Gjuriq, i cili ditë më parë kishte thënë se do t’i dënojnë deri në 10 vjet, pjesëtarët serb të FSK-së.

“Nuk kemi informacioni definitive lidhur me arsyet e arrestimit të tij. Por, dyshimet e para janë deklarimet e Marko Gjuriqit. Këtu mund të jetë arsyeja pse është bërë arrestimi i tij”, ka thënë Berisha.

Ministri i FSK-së ende nuk ka informacioni se ku gjendet tani pjestari i FSK-së, por u shpreh se me të gjitha procedurat e kthimit të tij në Kosovë, janë duke u marrur organet kompetente.

“Tani për tani nuk e di ku gjendet dhe kur do të kthehet në Kosovë. Tani për tani me këtë janë duke u marrur organet komptente për këtë punë. Për gjithka do të lajmërojmë”, ka thënë ministri i FSK-së.

Të ngjashme